MENU
klinika

Rëndohet bilanci i viktimave në Itali

U shkëput kabina e teleferikut/ Ndërron jetë në spital fëmija 9-vjeçar

23.05.2021 - 21:49

Ka marrë të tjera përmasa tragjedia e ndodhur sot në Itali ku ka shkuar në 14 numri i viktimave pas shkëputjes së një kabine teleferiku. Fatkeqësisht mediat italiane raportojnë se ka ndërruar jetë edhe djali 9-vjeçar në spitalin e Torinos.

I mituri kishte pësuar fraktura të rënda në trup dhe ishte dërguar me helikopter në spitalin Regina Margherita. Mësohet se në kabinën e teleferikut ndodheshin 15 persona, prej të cilëve kanë ndërruar jetë 14 persona, ndërsa ndodhet në gjendje të rëndë edhe një 5-vjeçar.

Ky i fundit ka pësuar trauma torako-abdominale dhe fraktura në gjymtyrët e poshtëm. Një tjetër fëmijë vetëm dy vjeç konfirmohet të jetë mes viktimave. “Ne bëmë gjithçka që qe e mundur, por pas tentativave për ta mbajtur në jetë, ai nuk ia doli”, tha drejtori i spitalit lidhur me 9-vjeçarin që ndërroi jetë së fundmi.

Kabina e teleferikut i shkëput papritur duke u rrëzuar mesditën e sotme rreth orës 13:00. Shkaqet ende mbeten të panjohura, por dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të shkëputjes së kavos mbajtëse, rreth 300 metra larg pikës së mbërritjes.

Teleferiku ndodhej në një lartësi 1491 metra. Shëtitja me teleferik po kryhej në një nga zonat më të populluara për turistët ku i gjithë udhëtimi zgjat 20 minuta.

Teleferiku Stresa Mottarone merr turistë dhe vendas nga qyteti i famshëm i Stresa, në liqenin Maggiore, me gati 1500 metra mbi nivelin e detit deri në majën e malit Mottarone.

“Aksident i rëndë në teleferikun Stresa- Mottarone. Shpëtimi alpin, dhe ekipet e tjera të shpëtimit në vend. Dy ambulanca me helikopter ndërhynë”, tha shërbimi kombëtar i shpëtimit alpin në Twitter.

Kabina u shemb në një zonë të pyllëzuar dhe të papërshkueshme, ku operacionet e shpëtimit nuk janë të lehta, në një nga pikat më të larta të impiantit. Sipas dëshimtarëve: “Kabina nisi të lëvizte shumë shpejt dhe më pas ajo ra”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN