MENU
klinika

Për sezonin e ri

“Valsi i trajnerëve”, vetëm 3 të konfirmuar në Serie A

16.05.2021 - 12:16

Si në shumë sezone të tjerë, edhe në këtë aktualin që po mbyllet në Serie A, pati shumë ndryshime trajnerësh dhe të tjerë priten të largohen pas javës së fundit.

Deri tani vetëm tre trajnerë janë të konfirmuar për sezonin e ri. Kështu, i sigurt është Jose Mourinho në pankinën e Romës, pasi marrëveshja mes palëve u zyrtarizua pak ditë më parë.

Pastaj Stefano Pioli në stolin e Milanit, pavarësisht nëse do të arrijë apo jo objektivin për një vend në zonën Champions dhe Castori i Salernitanës, i cili riktheu skuadrën në Serie A.

Trajnerët e tjerë nuk janë të sigurt nëse do të jenë në të njëjtën pankinë edhe sezonin e ardhshëm, pasi Andrea Pirlo nuk ka bindur te Juventus dhe bardhezinjtë janë të joshur nga ideja për të rikthyer në Torino, Zinedine Zidane.

Presidenti i Napolit, De Laurentiis, ka ndërpresë bisedimet me Spallettin dhe po provon të rinovojë me Gattuson, por ky i fundit duket se i ka dhënë fjalën presidentit Rocco Commisso për t’u ulur në stolin e Fiorentinës sezonin e ardhshëm.

Pasiguri ka edhe për Simone Inzaghin e Lazion, që pavarësisht konfirmimeve publike nga ana e drejtuesve, nuk ka vënë ende firmën mbi kontratën e re, ndërsa Mihajlovic po mban pezull Bologna-n, pasi është në pritje të ndonjë oferte më joshëse.

Mund të quhet i sigurt edhe largimi i Roberto De Zerbit nga Sassuolo, me destinacion Ukrainën, ku e pret Shakhtar Donetsk, ndërsa skuadra nga Emilia-Romagna po punon për ta zëvendësuar pikërisht me trajnerin aktual të Spezias, Vincenzo Italianon.

Edhe Torino nuk ka ndërmend të konfirmojë Davide Nicola-n për sezonin e ardhshëm, teksa synimi i presidentit Urbano Cairo është që të afrojë në pankinë kroatin Ivan Juriç, aktualisht te Verona, ndërsa këta të fundit po marrin në konsideratë afrimin e Filippo Inzaghit.

Mbi të gjitha, pasiguri ka edhe në pankinën e Interit kampion të këtij sezoni, pasi Antonio Conte ka shtyrë gjithmonë diskutimet mbi të ardhmen e tij, duke qenë se pret të takohet me presidentin Steven Zhang gjatë javës së ardhshme.

Trajneri italian është gati të vijojë punën në pankinën zikaltër, por ka si kusht garancitë sportive nga ana e presidentit të klubit, pasi dëshiron që të çojë para këtë projekt, për të synuar objektiva edhe më të mëdha.

Gjithsesi ajo që mund të thuhet me siguri është që menjëherë pas fundit të sezonit, në klubet italiane pritet të nisë një valë ndryshimesh në pankina, çka do të ndikojë jo pak edhe në merkato.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Siti tabu, Liverpuli i ka mundur vetëm një herë…

Statistikat/ Supersfida e javës!

Një ceremoni e veçantë me mbi 2000 të ftuar…

125 vjet histori, Barcelona e bën festë!

Presidenti dhe trajneri kokë më kokë për të ardhmen

Kriza e Realit, Perez lëkundet për Ançelotin!