MENU
klinika

Lala: Ja shkeljet e saj

Videot e “Tik-Tok”, Zheji: Gjyqtarja, kukull në vendin e duhur! Do ndëshkohet

31.05.2021 - 15:56

Videot e publikuara në rrjetin social “Tik-Tok” të kryetares në detyrë të Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani, janë bërë temë diskutimi në emisionin “Pikat mbi i”, në News24.

Analisti Artur Zheji u shpreh në studio se gjyqtarja Kapedani është thjesht një kukull e vendosur në atë detyrë, është mishërim i sistemit gjyqësor shqiptar.

Ndërsa, për gazetaren Klodiana Lala sjellja e saj është e patolerueshme dhe gjyqtarja ka shkelur Kodin Etik, ka përdorur celularin në timon, si dhe ka kryer parakalim të gabuar.

Sipas gazetares Lala, kjo gjyqtare nuk ka ndonjë rekord pozitiv në Gjykatën e Elbasanit, përkundrazi ka liruar një ndër njerëzit më të errët të botës së krimit, anëtarin e bandës së Gaxhait, si dhe ka kthyer dosjen e Çapjave.

Pjesë nga diskutimet në studio:

Artur Zheji: Ajo është shumë e bukur, e veshur mirë, e veshur shtrenjtë, gëzon jetën. Ndoshta do të ishte një gjykatëse në trupën gjykuese të Finlandës. Ajo shpalos bukurinë e saj. Por a përputhet kjo me detyrën që ka, në Gjykatën e Elbasanit, ku është bërë krim zap. Është tamam kukull e duhur, në vendin e duhur! Ajo më shumë kohë duhet të kalojë përpara pasqyrës, se sa në laboratorët e krimit apo në ato gjërat e zymta, siç është bota kriminale. Ajo ka zero probleme, ndërkohë që Elbasani ka shumë probleme. Ajo nuk është për atë punë. Kjo është situata e drejtësisë shqiptare. Ajo ndoshta është më e pafajshme, se i kushton kohë vetvetes.

Lala: Duke qenë se nuk ka kaluar ende në filtrin e Vettingut, i bie të jetë nënkryetare. Megjithatë, kryetare në detyrë është, për sa kohë merret me administrimin e të gjitha punëve që ka gjykata. Pra, në një far mënyre është njeriu më i pushtetshëm në Gjykatën e Elbasanit.

Zheji: Unë mendoj se e kalon Vettingun, pse të ngel, kur ajo nuk ka bërë krim. Nuk është krim të jesh e bukur.

Lala: E keni me të vërtetë. Unë si gazetare jam ndjerë shumë e fyer, që një zonjë që paguhet nga taksat e shqiptarëve, përdor ambientet e gjykatës për çështje që nuk kanë të bëjnë aspak me punën. Vetëm pak ditë më parë Elbasani u trondit nga një vrasje, nuk po kemi kohë as të numërojmë viktimat nga krimet. Nuk do ta paragjykoja, nëse këto veprime do t’i kryente në një ambient tjetër. Zyra e gjyqtarit nuk mund të përdoret për histori Tik-Tok.

Zheji: Ajo i thotë vetes ‘bravo, të çlirohem pak’.

Lala: Në zyrat e shtetit duhet të ketë vetëpërmbajtje. Kodi i Etikës nuk lejon veprime të ekzagjeruara. Kodi i Etikës thotë se në ambientet e gjykatës zyrtari duhet të ketë veshjen e përshtatshme.

Zheji: Çfarë ka thyer ajo? Ajo është komplet e veshur. Është e veshur me shije. Është ky mëkat? Është veshur pak shtrenjtë, po varet si i ka të ardhurat e familjes. Ti ke kryeministrin që vishet bukur.

Lala: Duhet hetuar nëse i justifikon ato veshje. Edhe kryeministri duhet hetuar. Ne po flasim për një gjyqtare, që përdor celularin në makinë. Është po ajo gjyqtare, që po t’i shkoj unë apo ti, që përdorim celularin në makinë, mund të na dënojë, ndërkohë që vetë ajo shkel ligjin me celular në makinë, me shpejtësi të tejkaluar nga ligji, bën parakalim të gabuar. Unë kam komunikuar sot me gjyqtaren dhe ajo pretendon se ja kanë vjedhur videot.

Zheji: Shife, kjo e zbukuron, e freskon, atë ambient. Çfarë veshje ka e shkreta. Sa bukur e ka bërë dhe zyrën, duket si zyrë perëndimore.

Lala: Të gjitha zyrat ashtu janë sot, kam përshtypjen se paske kohë pa hyrë në një zyrë. Zonja ka mbaruar magjistraturën, që është ndër më të shtrenjtat dhe paguhet nga taksat e shqiptarëve.

Zheji: Pse është faji i asaj që e kanë vënë aty?

Lala: Një zonjë po reklamon rrobat e saj të shtrenjta, ndërkohë që duhet të japë llogari para Vettingut se me çfarë lekësh i ka blerë.

Zheji: Po një sekondë se nuk jemi as në Suedi, as në Norvegji. Cështja kryesore që ne duhet të diskutojmë është nëse ka kjo zonjë një rendiment negativ apo pozitiv në gjykatë.

Lala: Rekord është se ka liruar një ndër njerëzit më të errët të botës së krimit, anëtarin e bandës së Gaxhait. Është po e njëjta gjyqtare që ka kthyer dosjen e Çapjave për hetime të mëtejshme. Me këto çështje duhet të merret sot shteti shqiptar. Kemi dërguar aty një kukull, pasi aty nuk ka ndonjë status pozitiv.

Zheji: Unë nuk kam pritshmëri nga drejtësia dhe them se më pak keq vjen nga kjo zonjë, se nga ato fytyra të zymta. Kjo është një harmoni me normalitetin e drejtësisë shqiptare. Çfarë po bën? Vetëm po ecën në zyrën e saj të bukur, e veshur me shije. E ka tepruar pak me këto ndërhyrjet, po punë e madhe, gocë e re është.

Lala: Kodi i Etikës është shumë i qartë për gjyqtarët, nuk lejohet që zyra e gjyqtarit të përdoret për qëllime të ndryshme. Duhet të respektohet dinjiteti i funksionarit.

Zheji: Skandali është që do të krijojë skandal global kjo gjë, dhe jo denoncimi për mbylljen e procesit për disa persona të rrezikshëm. Tani që kjo ka një moment thuajse të pafajshëm, do t’i turren të tërë.

Lala: ILD ka nisur hetim, ku heton sjelljen dhe hyn edhe te vendimmarrja. Nëse konstatohen shkelje, ka disa masa nga vërejtje e deri të masa ekstreme e shkarkimit nga detyra. Deri në këto momente, nuk kam një reagim nga KLGJ. Nuk ka një tërheqje nga gjyqtarja për t’u dorëhequr.

Zheji: Nëse ajo do të kishte rekorde pozitive, nuk do të rezistonte dot 24-48 orë. Ka politikanë që s’iu përmendin dot emrin bandave, kanë frikë. Vetëm ti e disa tjetër ua përmendin emrat.

Lala: Nëse ne vazhdojmë me idenë që të vendosim kukulla për të mos bërë asgjë, nuk mendoj se duhet pranuar kjo gjë. Ajo ndodhet në Gjykatën e Elbasanit nga viti 2015. Ajo administron të gjithë punën në gjykatë, me të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me funksionimin. Ka 9-10 vite që ushtron detyrën e gjyqtares.

Zheji: Çdo njeri kalon momentet e tij entuziaste. Është një moment optimizmi për jetën e saj. Ajo nuk e hëngri zyrën, pse bëri video.

Lala: Ajo është në zyrë shtetërore, paguhet nga taksat tona.

Zheji: Mua më pëlqen shumë revolta jote. Por revolta buron nga besimi. Ti revoltohet, sepse ti beson, ndërsa unë nuk besoj. Duke qenë se ka kriminelë me kollare, që respektojnë protokollin e veshjes në gjykata e zyra shteti, që grabisin të ardhmen e fëmijëve tanë, tendera, kjo më duket një kësulëkuqe e vogël, por u kap. Unë jam kundër kësaj, që kur kapesh me ekzgjaerim të vogël, të gjithë të turren, dhe nuk i shohin ato tjerat. Në këtë botë gri, në Elbasanin gri, çfarë faji ka kjo. Kjo e pa që drejtësinë e vendosin bandat, dhe ka thënë po mirë të shijoj dhe unë jetën time. Unë mendoj që rasti i kësaj duhet marrë pikërisht te metafora, që është një lloj kukulle, që nuk e ka fajin, pasi fajin e ka ai që lëviz fijet e kukullës. Ne nuk merremi me atë që lëviz fijet, me atë që e ka vendosur dhe e ka lënë kryetare gjykate. Dikush e komandon dhe atë. Kjo zonjë është mishërimi i sistemit gjyqësor shqiptar, por pjesa më e bukur. Sa e dëmshme është, është punë tjetër.

Në këtë ambient, që quhet Shqipëri, në këtë stil të qeverisjes në Shqipëri në të gjitha nivelet, triumfon gjithnjë e më tepër aforizma, që forma është gjithçka dhe përmbajtja asgjë. Ka një rezistencë për mbylljen e skandaleve të përmbajtjes. Kjo gjyqtarja e ndjen që duhet të jetë pjesë e formës, se nuk pranohet ndryshe në një vend si Shqipëria. I ke parë ministrat e Shqipërisë ti, vë një çantë 7 mijë euro mbi tavolinë, vjen tjetri e vë 15 mijë. Pra, ti ke një paradë ministrore. I ke parë çfarë makinash kanë, çfarë luksesh. I ke parë në aeroport, ku porosisin limuzinat t’i marrin, i kam parë unë. Që të ekzistosh në Shqipëri, duhet të kesh makinë luksoze, veshje luksoze, të zmadhosh buzët, të vësh pak botox, sepse ne jetojmë në vendin e formës. Ajo e ka kuptuar se duke ndërtuar formën e gjërave, njerëzit shkojnë si miza pas mjaltit. Çfarë do bëjë ajo në Elbasan. Pra, e parë më gjerë, “krimi” i zonjës më duket i vogël.

Lala: Krahasuar me krimet e skandalet që ndodhin në Shqipëri, është më e vogla e mundshme ajo që ka ndodhur me këtë gjyqtare. Nëse institucionet e drejtësisë nuk do të reagojnë sot, situata në vijim do të jetë shumë problematike. Në Elbasan, ku do duhet të shkojnë njerëz me integritet dhe t’i tregojnë forcën, muskujt, krimit të organizuar, në fakt kemi një kukull, që mund ta komandojnë njerëz në prapaskenë.

Zheji: Çudia vazhdon 3 ditë. Për fat të keq ka shumë mundësi që znj. Kapedani të ndëshkohet dhe do më vinte shumë keq, pasi do të ndëshkohet për faje të vogla. Të vësh këtë zonjë në shtyllën e goditjes, edhe pse e ka tepruar pa diskutim, ndërkohë që të padukshmit lëvizin gjithë sistemin, nuk është normale.