Nga Anna Arutunyan
Në fund të konferencës për shtyp të presidentit amerikan Joe Biden në Gjenevë, një debat i ashpër me një gazetar amerikan,ishte në fakt përplasja e vërtetë të një samiti që nuk supozohej të sillte ndonjë përparim në marrëdhëniet SHBA-Rusi.
Kur pritshmëritë tuaja janë shumë të ulëta, mund të ndodhin vetëm gjëra të mira. Ndërsa Biden po largohej nga podiumi, gazetari Kaitlan Collins i CNN e pyeti:“Çfarë ju bën kaq të sigurt se Vladimir Putin do të ndryshojë sjelljen e tij?”
Biden, që gjatë gjithë konferencës ishte i vendosur t`i garantonte medias se takimi me Putin mund t’i tregtohej audiencave si një samit që kishte tensionet dhe rreziqet e veta, u zëmërua.“Çfarë dreqin po thoni? Kur thashë unë që isha i sigurt për këtë gjë?
Ajo që thashë ishte çfarë do të ndryshojë kur pjesa tjetër e botës të reagojë ndaj tij, dhe kur sjelle të tilla e zvogëlojnë pozitën e Rusisë në botë. Unë nuk kam besim tek asgjë. Thjesht po tregoj faktet”. “E si mund të cilësohet ky një takim konstruktiv?”- pyeti sërish Collins.
“Në rast se nuk e kuptoni, atëherë kjo është punë për ju”.
Më vonë Biden kërkoi falje pse kishte qenë “një njeri kaq i mençur” në atë konferencë, por reagimi i tij tregoi se ndoshta për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, të dyja administratat kishin pamjen më realiste të mundshme të aftësive dhe interesave të tyre reciproke dhe përkatëse, aq sa mund të kenë 2 kundërshtarë.
Bazuar në deklaratat e Putin dhe Biden, duket se pavarësisht dallimeve të tyre, për herë të parë ndër dekada udhëheqësit e dy prej vendeve më të fuqishme në botë, kishin arritur të zhvillonin një bisedë të sinqertë mes tyre. Dje kjo gjë ishte pa dyshim pozitive.
Si Biden ashtu edhe Putini shprehën pozicionet e zakonshme që priteshin prej tyre. Biden përsëriti angazhimin e SHBA-së për të mbështetur të drejtat e njeriut, dhe për të mos heshtur kur Kremlini shtyp disidencën ruse. Ndërkohë Putini iu përgjigj me mënyrën e tij të zakonshme, të cilën e ka përsosur gjatë 2 dekadave të ligjërimeve të ngjashme përballë 5 presidentëve amerikane.
Por ajo që e veçoi këtë takim nga dy administratat e mëparshme- ku pati shpresa naive për një lloj “rivendosjeje të marrëdhënieve” – ishte pranimi nga të dy palët që asnjëri nuk do të kishte sukses të ndryshonte sjelljen e tjetrit.
Gjithçka që ata kishin lënë në mungesë ishte potenciali për dialog dhe bashkëpunim, aty ku interesat e tyre përputheshin. Të dy dukej se e kuptuan që qëllimi i tyre kryesor ishte të shmangnin konfliktet dhe të bashkëpunonin për çështje ku ata kishin interesa të përbashkëta – nga siguria kibernetike te antiterrorizmi – dukej mënyra më e mirë për ta bërë këtë.
Për rusët, heqja dorë nga marrëdhëniet “e këqija” SHBA-Rusi të cilat prej kohësh ishin bërë një normalitet erdhi shumë më herët, drejt fundit të administratës Trump, kur zyrtarët po më thoshin se nuk po shpresonin për marrëdhënie të përmirësuara, vetëm për një administratë të qëndrueshme dhe të besueshme amerikane.
Në të kaluarën, që në ditët e para të tij në detyrë, Vladimir Putin kishte menduar se ishte në gjendje të arrinte një llaj barazie me Shtetet e Bashkuara. Por tërheqja e SHBA-së nga Traktati i Raketave Anti-Balistike, përmes zgjerimit të NATO-s dhe në fund mbështetja e SHBA-së për revolucionin me ngjyra në ish-Bashkimin Sovjetik, i zhduku shpresat, dhe Kremlini e konsideroi“tradhtinë” e perceptuar prej tij, si të vetmen mënyrë për t`u përballur me një partner të tillë “të pabesë” duke vepruar saktësisht në atë mënyrë që Uashingtoni besonte se po vepronte: Si një plan-prishëse në skenën botërore, për ta bërë palën tjetër që të pranonte se nëse Rusia ishte e barabartë në kapacitete, atëherë sigurisht kishte vullnetin për ta arritur këtë lloj barazie, dhe duhej trajtuar në përputhje me rrethanat.
Sanksionet në rritje pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, izolimi në rritje, dhe së fundmi kaosi i presidencës Trump, e bindën më tej Kremlinin, me të drejtë apo gabimisht, se nuk kishte asgjë që mund të bënte për të përmirësuar marrëdhëniet.
Barazia ishte çelësi për atë përmirësim, por gjatë katër viteve të fundit duket se Kremlini ka hequr dorë nga ideja se nuk kishte asgjë që mund të bënte për të ndryshuar perceptimin që Amerika kishte për të. Kundërshtari i tij nuk ishte i interesuar – sipas kësaj pikëpamjeje – për normat. Ishte i interesuar për dominim.
Sigurisht, ka diçka thellësisht paranojake tek kjo pikëpamje. Por ndoshta kjo është arsyeja pse, fakti që Rusia është lakuar shumë dhe shpeshherë është atakuar me këmbëngulje për politikën e saj përçarëse, ka bërë që Kremlini ta ketë të ngulitur këtë në perceptimin e tij.
Të drejtat e njeriut
Më i papritur ishte qëndrimi i Joe Biden. Prej kohësh në Uashington ka ekzistuar konsensusi, sipas të cilit fati i politikës së jashtme të Amerikës është të detyrojë shkelësit e të drejtave të njeriut si Putini që të ndalojnë abuzimet tyre, dhe se ajo është në thelb fuqia kryesore globale e aftë për ta arritur këtë.
Sigurisht presidenca e Donald Trump e dëmtoi këtë mendësi. Por që përpara samitit të G7, administrata Biden kishte padurimin për t’i treguar botës se Amerika ishte “kthyer sërish”, dhe për të treguar se ndryshe nga Trump, Amerika do të sillej sërish me ashpërsi përballë shkelësve të të drejtave të njeriut, kudo ku ata ndodhen.
Në aspektin retorik, Biden u përpoq shumë që ta përçonte atë mesazh përpara samitit. Por konferenca e tij për shtyp, duket se tregon shkëputjen midis diplomacisë reale dhe ndikimit siç e sheh Biden, bazuar në një vlerësim real të aftësive të dikujt dhe cirkut mediatik mbi çështjen “A keni qenë mjaftueshëm i ashpër me Putinin”, që pasqyron thjesht grindjet politike të brendshme të ditës, por nuk ka shumë të bëjë me diplomacinë aktuale.
Në fund të ditës, thelbi i samiteve të tillë është rifillimi i dialogut dhe mirëkuptimit, dhe jo arritja e marrëveshjeve apo përkulja e kundërshtarit ndaj vullnetin tuaj. Tek e fundit, kjo është një punë e gjatë, e mundimshme dhe e mërzitshme, e cila ndoshta nuk është aq argëtuese për t`u parë.
Kjo mund të jetë arsyeja pse shumë njerëz në Rusi e panë samitin si një sukses, edhe pse të moderuar. Ka të ngjarë që negociatat e ndershme profesionale, mund t’i kenë dhënë Putinit shumë më tepër nxitje për të bashkëpunuar sesa një sërë sanksionesh të vendosura ndaj tij. / “The Moscow Times”