MENU
klinika

Fjala e Dukës në Asamble

“Përjashtimi i FSHF nga KOKSH, akt i turpshëm”

14.06.2021 - 14:15

Federata Shqiptare e Futbollit zhvilloi online Asamblenë e Përgjithshme, ku u bënë bilancet e një sezoni më parë dhe u paraqitën përpara anëtarëve projektet kryesore dhe planin e tyre për të ardhmen.

Gjatë fjalës së tij presidenti Armand Duka nuk harroi as të thumbojë KOKSH për përjashtimin që iu bë FSHF duke e cilësuar këtë vendim si të turpshëm:

“Veç bashkëpunimit me të gjithë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Na janë përgjigjur me prepotencë duke na përjashtuar me një akt të turpshëm nga kjo organizatë.

Dhimbjet janë të mëdha dhe pasojat më të rënda, kur mendon se që në start gjithçka është ndërtuar keq. KOKSH për fat të keq mbetet një turp për levizjet sportive në Shqipëri.

Do këmbëngulim që gjithçka të ndërtohet me normë Olimpike, duke zhdukur këtë farsë që fshihet pas rrathëve Olimpikë. Shtëpia e futbollit është e hapur dhe mund të flasim me të gjithë”.

Ndërkohë, Duka foli edhe për disa nga projektet më të afërta: “Do finalizojmë fushën stërvitore në Bulqizë, do bëjmë aneksin në Kukës dhe dy fusha stërvitore në Durrës. Kemi përgëzuar klubin e Egnatias dhe do e mbështesim në ndërtimin e stadiumit. Më vjen mirë që këto incentive ndikojnë për mirë në futboll. Kemi bërë investime edhe në Fier.

Në maj të 2022, Shqipëria pret për herë të parë finalen e Conference League, një bashkëpunim i shkëlqyer me UEFA-n. Për të vijuar me organizimin ekseklent, kemi bërë ndryshime në fushë me ndriçim dhe ventilimin më të fundit. Çdo gjë atë mbrëmje do jetë historike. UEFA i ka besuar edhe disa ndeshje kualifikuese për Champions League për sezonin që vjen.

Dua të ndaj me ju zhvillimet kyçe, në fokus futbollin e femrave dhe të fëmijëve. Duam që për femrat të bëjmë një kampionat kombëtar me 15 përqind të buxhetit. Nga sezoni i ardhshëm, kriter licensimi për klubet e Superligës do jetë edhe detyrim një ekip femrash. Brenda dy vitesh synojmë të kemi 100 ekipe në shkollat 9 vjeçare.”