MENU
klinika

Eduard Zaloshnja

Rritja/ Tkurrja e PD dhe e PS në secilin nga 12 qarqet

02.06.2021 - 09:43

EDUARD ZALOSHNJA

Në javët pas zgjedhjeve të 25 prillit, shpesh është përmendur fakti që PD-ja ka shënuar rritje të ndjeshme të votave krahasuar me zgjedhjet e 2017-ës (më pak është folur për rritjen e votave të PS-së). Por krahasimet zakonisht janë bërë në mënyrë mekanike mes votave të vlefshme në dy zgjedhjet e fundit.

Një krahasim i tillë nuk jep një pasqyrë të rritjes reale të këtyre dy partive për dy arsye. Së pari, numri i banorëve të rritur brenda territorit të Republikës ka ndryshuar qysh nga 2017. Së dyti, votat e pavlefshme u shtuan shumë këtë vit, për shkak të fletës së votimit të ndërlikuar (që dukej si fjalëkryq).

Vetëm duke faktorizuar këta dy faktorë, mund të matet rritja/tkurrja reale elektorale e partive. Në rang kombëtar, rritja reale e PD-së ishte 43%, ndërsa e PS-së ishte 6% (2017-ta shërben si bazë krahasimi 100%).

Rritja spektakolare e PD-së (pothuaj me 200 mijë vota, pas faktorizimit të dy faktorëve të mësipërm) nuk i siguroi dot asaj më shumë se 59 mandate – ajo rritje thjesht e nxori nga gropa elektorale e zgjedhjeve të 2017-ës (ku mori vetëm 43 mandate). Ndërsa rritja e PS-së me 30 mijë vota (pas faktorizimit të dy faktorëve të mësipërm) nuk i siguroi asaj më shumë se 74 mandate (aq sa kishte marrë më 2017)

Por si ishte performanca elektorale e dy partive më të mëdha në secilin nga 12 qarqet e Shqipërisë? Në tabelën e mëposhtme janë të renditura qarqet “më të forta” e “më të dobëta” për secilën parti.