MENU
klinika

Zgjedhjet për kryetarin e ri të PD

Votojnë deri më tani 31.3% e anëtarësisë, Jemin Gjana: Procesi vijon normalisht

13.06.2021 - 13:55

Partia Demokratike po zhvillon sot zgjedhjet për kreun e ri, të cilat kanë nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe pritet të mbyllen në 19:00, për të vijuar me numërimin e votave më 19:30, ku brenda orës 08:00 të ditës së nesërme pritet edhe rezultati.

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, publikoi të dhënat e votimit deri më tani, ku tha se iu janë drejtuar kutive të votimit 23 536 anëtarë, ose 31.3% e anëtarësisë.

“Janë 23 536 anëtarë që kanë votuar, deri në orën 13:00, diku te 31.3%. Procesi ka vazhduar normalisht. Ka ndonjë zëvendësim vëzhguesi të ndonjë kandidati në garë, por procesi vijon normalisht”, tha Gjana.

Në garë për të drejtuar partinë e dytë më të madhe në vend janë kreu aktual i PD, Lulzim Basha, dhe tre demokratë të tjerë Fatbardh Kadilli, Edith Harxhi dhe Agron Shehaj.

Anëtarësia e PD në të gjithë vendin po voton mes katër kandidatëve për të zgjedhur kreun e ri të partisë, që do t’i udhëheqë për katër vitet e ardhshme.

Janë në total 75 mijë anëtarët e PD, që pritet t’i drejtohen 76 qendrave të votimit të ngritura në të gjithë vendin, përmes të cilave ata do të ushtrojnë të drejtën e votës për të zgjedhur kryetarin.

Sipas udhëzimit, ata duhet të zgjedhin vetëm 1 prej kandidatëve, pasi vota e tyre do të jetë nul nëse votojnë për më shumë se një prej katër emrave në garë. Në fletën e votimit, Fatbardh Kadilli është i renditur i pari, e pas tij Edith Harxhi, Agron Shehaj e Lulzim Basha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN