MENU
klinika

Conference League

7 ekipe shqiptare sot në fushë, Struga e nis me barazim

08.07.2021 - 18:02

Pas Laçit, e enjtja është dita e 7 ekipeve shqiptare që zbresin në fushë për Conference League. korriku është datë e shënuar për disa klube shqiptare jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat sot debutojnë në kompeticionet europiane.

Për herë të parë në histori marrin pjesë 11 klube shqiptare në Kupat e Europës. Teuta, Shkëndija e Tetovës dhe Prishtina ishin në Champions. Ndërsa tetë klube të tjera fituan të drejtën për të luajtur në Conferencë Ligë.

Struga ishte e para që zbriti sot dhe mori rezultat të mirë, duke barazuar 1-1 në transfertë me Liepaja të Letonisë. Struga është skuadër debutuese në Evropë dhe ky barazim e afron me kalimin e turit të parë.

Partizani kun sot në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të sfidojë moldavët e Stinful George, në një takim ku të besuarit e Ilir Dajës do të kërkojnë triumfin që në takimin e parë duke parë se ndeshjen e parë e luajnë në shtëpi.

Vllaznia luan ndeshjen e parë në Bosnje ndaj skuadrës së Shiroki Brijeg në orën 21:00, për objektivin e vetëm fitoren. Skuadra shkodrane do të tentojë rezultatin pozitiv që në takimin e parë.

Risia ka qenë prania e Deçiçit, skuadra e parë shqiptare që përfaqëson Malin e Zi në këtë kompeticion. Dita e sotme sjell dy përballje shqiptarësh në Europë. Deçiçi i Tuzit ka udhëtuar që mbrëmë në Kosovë, ku sonte në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballet në turin e parë me Dritën e Gjilanit.

Ndërsa përballja tjetër e gjitha shqiptare në Europë është ajo mes Shkupit dhe Llapit, ku fituesit e Kupës së Kosovës do ta luajnë ndeshjen e parë në transfertë në Maqedoninë e Veriut, në orën 20:00 në “Arena Todor Proeski”.

Për Llapin, Deçiç dhe Strugën është një natë e paharrueshme, nga ato që do të mbeten gjithnjë në muzeun e klubit, pasi bëjnë përfaqësimin e parë në Europë në nivel klubesh në veprimtari zyrtare.