MENU
klinika

"Puthja"

Dashuria dhe ekstaza e braktisjes…

21.07.2021 - 13:30

         Saktësisht njëqind e dy vjet më parë artisti, Gustav Klimti ndërroi jetë në Vjenë. Vepra, e ekspozuar në “Österreichische Galerie Belvedere” në Vjenë, konsiderohet, jo rastësisht, një nga kryeveprat më të mëdha të të gjitha kohërave dhe përshkrimi i puthjes është një nga më të famshmet që ka ekzistuar ndonjëherë. Piktori Gustav Klimt vdiq në moshën 56-vjeçare më 6 shkurt 1918. Mes 220 kanavaca që njohim tashmë, ai ka prodhuar edhe 55 peizazhe, duke marrë si dekor kryesisht Attersee, qetësia e të cilave bie ndesh me pjesën tjetër të punës së tij. I dhënë pas zbukurimit, ai e kthen arin në lëndë të parë të pikturave të tij – një shije me gjasë e frymëzuar nga i ati që punonte si argjendar./Konica.al

Lindja e një kryevepre

Ishte viti 1907 kur Gustav Klimt filloi të punojë me “Puthja”, mbase ende i pavetëdijshëm për rëndësinë që do të kishte më vonë vepra në historinë e artit. Ky është viti që do të shndërrohet në një nga më produktivët e jetës së piktorit, duke iu përkushtuar përveç “Puthjes”, edhe portretit të Adele Bloch-Bauer I. Thuhet se artisti e kishte zakon ta niste punën në studio herët në mëngjes, pa bërë pushime dhe deri vonë në mbrëmje. Dyshemeja e studios ishte e mbuluar tërësisht me skica të panumërta dhe boceta të veprës. Një periudhë jo e lehtë për artistin, i cili vazhdimisht ankohej për lodhjen që i shkaktonte ajo punë. Nga një letër, e shkruar më vonë nga vetë artisti, ai zbulon gjithë ankthin e tij: “Ose jam shumë i moshuar, ose shumë nervoz, ose shumë budalla – një nga këto, herët a vonë, me siguri”. Tema e çiftit të të dashuruarve, së bashku me atë të puthjes, e angazhoi Klimt gjatë gjithë rrugëtimit të jetës së tij, me variacione mbi temën që do ta shoqërojnë deri në vdekje. Pohimi i “Epokës së Artë” në veprën e tij arrin kulmin te “Puthja”, pas një vizite në qytetin e Ravenës, e cila do t’i lejojë artistit të njihet me mozaikët bizantinë.

Ekstazë e braktisjes

Piktura është një kanavacë vaji, një tablo përsosmërisht romantike pa u ëmbëlsuar, moderne pa u shfaqur e panjohshme dhe mbi të gjitha e çmuar. Piktura tregon një çift të shtrënguar në një përqafim pasionant. Figura mashkullore përkulet mbi atë femërore, kështu që gruaja ngjitet pas burrit për të marrë puthjen e tij. Tema e përqafimit është trajtuar disa herë nga artisti, por vetëm në këtë pikturë ai arrin të përjetësojë çastin e shkëputjes, në të cilin bashkohet universi mashkullor me universin femëror. Të dy figurat përshkruhen në një vend abstrakt dhe eterik, të rrethuar nga një livadh i mbuluar me lule. Për t’u ilustruar është triumfi i erosit dhe fuqia e tij për të harmonizuar konfliktet midis burrave dhe grave. Ky koncept shprehet mirë përmes gjesteve të dy të dashuruarve. Braktisja e gruas në duart e tij bie ndesh me kontrollin e fortë dhe të sigurt të burrit, profili i të cilit mezi shihet. Imazhi mashkull shoqërohet, në një nivel dekorativ, me forma katrore dhe drejtkëndore. Sidoqoftë, për figurën femërore, mbizotërojnë linjat dhe modelet e lules. Në të njëjtën kohë, çifti duket se shkëputet nga kjo pjesë e botës tokësore dhe rrëmbehen në një atmosferë formale, pa hapësirë dhe që në fakt të sjell ndërmend mozaikët bizantinë në sfondin e praruar. Shumë janë përpjekur të identifikojnë figurën femërore të përshkruar në vepër. Disa herë është përmendur emri i mikeshës më të mirë të Klimtit. Tiparet e rregullta dhe në proporcion të mirë tregojnë një ngjashmëri më shumë nga gratë e portretizuara nga Klimt, edhe pse nuk gjurmojnë saktësisht ndonjë figurë në veçanti./Konica.al

Puthja e Klimtit rishfaqet në homazh të një piktori që i dhuroi botës moderne një nga tablotë më të bukura të puthjes njerëzore në historinë e artit. Jeta e tij, shpesh e anashkaluar, zbulohet në pikturat e tij, portrete grash herë të dëshirueshme, herë lakmitare në peisazhe të heshtura./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Grabitja "pa sukses" këtu e 22 vite...

Gjendet zonja e Gustav Klimt me vlerë marramendëse

Ringjallen Monet, Van Gogh e Klimt

Si u grabit ‘Isabella Stewart Gardner’

Spektakël rrëmbimesh

Si humbën pikturat e famshme?


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit