MENU
klinika

EMRAT/ U hodh gabimisht në short

Dosja e ish-ministrit Saimir Tahiri do të shqyrtohet nga tre gjyqtarë

20.07.2021 - 11:30

Tre gjyqtarë, Ilir Panda, Sokol Sadushi dhe Ervin Pupe do të gjykojnë dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas Gjykatës së Lartë, kjo dosje ishte hedhur gabimisht në short së bashku me 42 çështje të tjera pasi në bazë të ndryshimeve të reja ligjore, e njëjta trupë gjykuese që ka vendosur në dhomë këshillimi kalimin e dosjes për gjykim në Gjykatën e Lartë duhet të vazhdojë edhe procesin gjyqësor.

“Për shkak të veçorive të natyrës teknike që paraqet përdorimi i sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, në procesin e rishortimit rezulton të jenë përfshirë gabimisht 43 çështje penale, për të cilat trupi gjykuesi mëparshëm, në dhomë këshillimi, ka vendosur kalimin në seancë gjyqësore ose mospranimin e rekursit, vendime të cilat nuk ishin pasqyruar ende në sistem”, thuhet ne njoftimin e Gjykates ne 10 qershor.

Shorti kishte përcaktuar Sandër Simonin si kryesues të seancës. Por sipas një vendimi të gjykatës të datës 6 qershor është rregulluar gabimi si për dosjen Tahiri ashtu dhe për të tjerat.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

NJOFTIMI I GJYKATËS SË LARTË MË 10 QERSHOR
Pas emërimit të 4 gjyqtarëve të rinj në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, bazuar në urdhrin e Kancelarit të kësaj Gjykate, të gjitha çështjet penale ende të pashqyrtuara (mbi 5200 çështje ), që kanë patur si relator gjyqtarin e Kolegjit Penal të emëruar në mars të vitit 2020, janë rishortuar me qëllim shpërndarjen e tyre, në mënyrë të barabartë ndërmjet të gjithë gjyqtarëve të këtij Kolegji.
Për shkak të veçorive të natyrës teknike që paraqet përdorimi i sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve, në procesin e rishortimit rezulton të jenë përfshirë gabimisht 43 çështje penale, për të cilat trupi gjykuesi mëparshëm, në dhomë këshillimi, ka vendosur kalimin në seancë gjyqësore ose mospranimin e rekursit, vendime të cilat nuk ishin pasqyruar ende në sistem.

Me qëllim garantimin e parimit të gjykatës së caktuar me ligj, për të gjitha palët pjesëmarrëse në gjykim në Gjykatën e Lartë dhe në respekt të qëndrimit të mbajtur nga mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve, si edhe praktika e kësaj gjykate, për të vijuar shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore nga i njëjti trup gjykues që e ka shqyrtuar paraprakisht në dhomë këshillimi, është urdhëruar nga Kancelari i Gjykatës së Lartë anulimi pjesërisht i shortit për çështjet penale të sipërcituara. Gjithashtu, janë pasqyruar menjëherë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve vendimet që janë marrë në dhomë këshillimi për çështjet penale, si edhe relatori i çështjes konkrete.