MENU
klinika

Poeti Nobel

“Magjistar i shpirtrave”

12.07.2021 - 14:50

       Nobelisti Pablo Neruda, lindi më 12 korrik 1904, në Kili. Poezia e tij është një ndërthurje e dashurisë, ndjenjës dhe emocioneve që shpërthen në zemrën e lexuesit. Është e pabesueshme, sesi, duke lexuar poezitë e tij, vargjet na krijojnë një ndjeshmëri kaq të fortë. Neruda ishte një nga poetët më me ndikim kilian të kohës së tij, po edhe më gjerë, në histori. Ai la pas vargje, poezi, fraza dhe ide plot dashuri dhe zhgënjim. Vargje që vetëm ai mund t’i shkruante, si të tilla…/Konica.al

Në të vërtetë, Pablo Neruda quhej Naphtali Reyes Basoalto. Lindi në Parral të Kilit dhe vdiq më 23 shtator 1973. Neruda, jo vetëm që u shpërblye dhe u vlerësua për atë që shkroi, por edhe për mënyrën sesi e realizoi. Mbiemrin “Neruda” e hasi rastësisht në një revistë dhe, çuditërisht, Neruda ishte një tjetër shkrimtar me origjinë çeke, që shkruante balada të bukura, ndër të tjera.

Më 1971, iu akordua NOBELI për Letërsi dhe dy vjet më vonë, më 1973, poeti ndërroi jetë.

R

Stili i Nerudës ishte i padiskutueshëm

Ai shkroi, duke u përqëndruar tek të gjitha shqisat: dëgjimi, nuhatja, shikimi, etj. Me këtë, ai kërkoi përshkrimin e një skene ose ndjesie sa më të natyrshme, për ta përcjellë këtë të vërtetë te lexuesi dhe për ta bërë atë të hyjë në poezinë ose në shkrimin e tij. Neruda ishte preciz në gjetjen e fjalëve të përshtatshme, që do të entuziazmonin lexuesin, veçanërisht për gjërat e pajeta, të cilat janë më të vështira për t’u përshkruar. Kam përdorur metafora dhe shumë krahasime për të krijuar përshkrime të hollësishme dhe emocionale të njerëzve, gjërave, natyrës dhe ndjenjave. Ka shumë ndikim surrealizmi në përshkrimet e tij, pasi ai përdori shprehje më të rralla dhe më të vështira për të përshkruar gjëra vërtet të thjeshta si dashuria e humbur, magjia e natës, etj. Po ashtu dallohet edhe personifikimi i gjërave të pajeta në poezinë e tij, kur flet me një narrativë si Bolivar në “Një këngë për Bolivarin”, vdekjen në “Lartësitë e Maçu Piçu”, ose detin në “Odë për detin”, personifikim që rrit efektet dhe universalitetin e poezisë së tij, sepse Neruda i ka dhënë jetë, emocion dhe frymë të gjitha gjërave në botë. Pavarësisht se kush jemi, historia dhe përvojat personale, kur lexon Nerudën gjejmë poezi, të cilat duket se janë shkruar posaçërisht për ne. Zgjon ndjenjën, se ato vargje të caktuara flasin për ne. Të lexosh poezinë e Nerudës do të thotë ta lëshosh veten, nuk ka frena, është pushtues dhe nuk ndalet kurrë. Kur mbaron së lexuari, vargjet të janë ngulitur thellë brenda vetes. Një poet i pakrahasueshëm, i cili arrin të na magjepsë jo vetëm me fjalë, por edhe me momente…/Konica.al

Më poshtë, po japim poezinë që përçon një mesazh shprese, që përshkon errësirën, por mbi të gjitha një ftesë për të jetuar jetën e dikujt në emër të një rilindje të përditshme.

Mund të shkruaj vargje…

Kësaj nate mund të shkruaj vargjet më të trishtuara.

Të shkruaj për shembull: “Pikëlohet nata prej yjeve

E trupat e kaltër qiellorë drithërohen në largësi”.

Në zemrën e qiellit era e natës bën qerthuj, këndon.

Sonte vargjet janë tmerrësisht të trishtuara.

E doja dhe herë-herës dhe ajo më deshi.

Netëve si kjo, nër krahët e mia e mbaja.

E përqafoja nën qiell, nën qiellin e hapur.

Më deshi, po edhe unë kohë pas kohe e pata dashur.

Si të mos i dashuroja ata sy të mëdhenj që aq thellë më shikonin?

Kësaj nate mund të shkruaj vargje nga më të trishtuarat.

Kur mendoj që nuk e kam më. E kuptoj që e humba.

Kjo natë e pafundme bëhet më e madhe pa të

Dhe vargjet bien në shpirt si vesa mbi bar.

Ç’rëndësi ka që dashuria ime nuk mundi dot ta mbajë!

Gjithë yje është nata, vetëm ajo me mua s’është më.

Kaq. Një zë këndon atje tej. Tutje në largësi.

Po shpirti është i dëshpëruar se unë e humba.

Kërkoj vështrimin e saj, sikur dua t’i afrohem.

Zemra ime e do, po ajo s’është me mua.

Natë si dikur: zbardhojnë të njëjtat pemë.

Ne ishim dikur bashkë, por tash s’jemi si dikur.

Nuk e dua, jo, por kaq shumë e pata dashur,

Dhe zërin e erës kërkoja që zërin e saj ta dëgjoj.

E një tjetri, e një tjetri do të jetë, por dikur vetëm imja pat qenë,

Me zërin, trupin e saj të pastër. Me sytë e saj të pafund.

Nuk e dua më, është e vërtetë, por mbase e dua,

Sa e shkurtër është dashuria, sa i gjatë – harrimi!

Sepse në një natë të tillë e pata përqafuar.

Dhe shpirti im vuan se atë e humba.

Të paktën kjo le të jetë dhimbja e fundit që më sjell ajo,

Dhe këta rreshtat e fundit që për të po i shkruaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Në tokën e ashpër, plot dashuri..."

Kur Pablo Neruda i thurte vargje Shqipërisë…

“Poeti më i madh i shekullit XX”

Pablo Neruda: Mos ia mohoni vetes lumturinë

Nobelisti për shkrimtarin shqiptar

Letra që Ernest Heminguej i dërgoi Petro Markos


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit