Rreth dhjetë ditë pas ngjarjes tragjike që u regjistrua në aksin Levan-Vlorë, ku humbën jetën katër anëtarë të familjes Gushi, ka dalë ekspertiza për ngjarjen e rëndë.
Automjeti tip “Audi” i drejtuar nga Igli Madani, i cili u bë shkak për përplasjen fatale për çiftin dhe dy fëmijët e tyre, udhëtonte me shpejtësi 160 km/orë, ndërkohë që në aksin rrugor shpejtësia maksimale e lejuar është 110 km në orë, pra 50 km më shumë.
AKSIDENTI TRAGJIK
Ngjarja e rëndë ku gjetën vdekjen Eduart Gushi, 44 vjeç, dhe Silvana Gushi, 33 vjeç ,si dhe fëmijët e tyre, Anastasia Gushi, 14 vjeçe dhe Eva Gushi, 9 vjeçe, u regjistrua mëngjesin e 25 qershorit rreth orës 08:30 minuta kur familja Gushi që sapo ishte kthyer nga Greqia po shkonte drejt Vlorës për të kaluar pushimet verore dhe për të vizituar të afërmit e gruas.
Aksidenti u regjistrua në vendin e quajtur “Kriporja”, pranë fshatit Panaja të Vlorës. Automjeti luksoz tip “Audi”, përplasi nga mbrapa automjetin tip “Toyota” me targa greke, me të cilën udhëtonte familja nga Patosi, që ishte kthyer në vendlindje.
Përplasja ka qenë aq e fortë saqë automjeti me katër pjesëtarët e familjes Gushi është shkatërruar plotësisht, duke i bllokuar brenda ata.
Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse që kanë prerë llamarinat e automjetit me fresibël për të nxjerrë trupat. Tre prej pjesëtarëve të familjes vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa vajza më e vogël, e cila u nxor e para nga mjeti i shkatërruar ndërroi jetë gjatë transportit për në spital pak momente më vonë.
Pas aksidentit, Policia arrestoi drejtuesin e automjetit të dytë, tip Audi, i cili dyshohet si shkaktar i ngjarjes së rëndë. Në pranga përfundoi shtetasi Ilgi Madani, 22 vjeç, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës, ndërsa ndodhet në spital pasi mbeti edhe vetë i plagosur për shkak të përplasjes së fortë.