Ditën e djeshme, ndoshta në mbledhjen e fundit të Qeverisë, shefi i saj, Edi Rama bëri një përmbledhje të qeverisjes tetë vjeçare të së majtës, dhe, si një parafjalë të asaj që pritet, përvijoi disa nga drejtimet themelore ku do të mbështetet në katër vitet e ardhshme.
Tetë vitet e para të qeverisjes Rama ishin të veçanta për nga aleancat qeverisëse: fillimisht me rivalen e saj të vjetër, me të cilën më shumë është mllefosur se sa janë dashur, Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku lirisht u shkarkuan pastaj gjithë “ujërat e pista” të mos arritjes së synimeve, dhe jo pa të drejtë krejtësisht, e, pastaj, krejt e vetme, ku, arritjet dhe mangësitë binin vetëm mbi kurrizin e tyre.
Dy gjëra rënduan në këto tetë vite dhe ndoshta mësimi është marrë, më në fund. Pandëshkueshmëria e qeverisjes pararendëse, sidomos zullumet makabre të klanit familjar e politik Berisha, dhe korruptimi gangrenë i administratës publike.
Nëse për të parën alibia mund të jetë se “ndëshkimi nuk është punë e qeverisë” dhe këtu, si gjithnjë kur kërkohet fshehja pas gishtit është e gabuar, pasi shteti ka gjithë mekanizmat dhe strukturat e kontrollit financiar e ligjor; për të dytën nuk mban asnjë alibi. Sistemi i vjetër i administratës politike nuk u shprish dot dhe sundimi i konceptit lësëist për politizimin dhe keqtrajtimin e administratës u bë akt i pranuar.
Sidoqoftë tetë vitet shkuan. Dy krizat më të mëdha në vend, të ardhura njëra pas tjetrës, nuk krijuan stanjacion. Penguan ritmet e zhvillimit, por sollën risinë e mundësisë për të bërë punë të mëdha dhe të duhura përmes angazhimit solid të strukturave qeverisëse. Tërmeti dhe pandemia ishin guri i provës i qeverisë Rama, ashtu si vazhdimi i reformës në drejtësi që e përafroi edhe më tej me strukturat politike e jo politike euroatlantike.
Shqipëria, ashtu si e kishte pritur opozita, nuk ra në krizë dhe sistemi i mbijetoi goditjes. Duke i parë si dy sfidat më të mëdha të qeverisjes dhe, në të njëjtën kohë, rrugë për të patur rishtas besimin qytetar në drejtimin e mëtejshëm të vendit, shefi i qeverisë i ktheu në sfidën e jetës së tij politike, në të njëjtën kohë mundësi e artë për të lënë emrin e qeverisjes së tij.
Asnjëra dhe as tjetra nuk kanë mbetur në të shkuarën, ama përballimi i tyre, përmes një mijë e një rreziqeve politike dhe, sidomos, financiare, tregoi se mund të bëhen gjëra të dobishme, shpejt, jashtë shablloneve të krijuara.
Çfarë do të jetë në të ardhmen?
Do të jenë këto katër vitet e fundit të qeverisjes Rama, apo do të jenë një mandat i tretë për të krijuar vazhdimin e mëtejshëm?
Shumë herë kuptohet se ky do të jetë mandati i fundit i qeverisjes së të majtës. Edhe nga socialistë të njohur perceptohet kështu. Nëse edhe qeveria do të ndërtohet me këtë bindje, atëherë vërtetë do të jetë i fundit, por edhe më tej: do të jetë më i keqi. Që në radhë të parë e mbi gjithçka do të rëndojë gjendjen e njerëzve, do të rritë stanjacionin e mund të sjellë krizën.
Nëse konceptohet kështu, si mandati i fundit, një tabor i pafund i administratës publike, në të gjitha nivelet do e shohin si mundësinë e tyre të fundit për t’u pasuruar, për të rritur korruptimin dhe keqtrajtimin qytetar, nuk do të ketë rritje pagash dhe kontributesh, financat do të bien në humnerën më të thellë të një qeverisje. Do të përsëritet viti 2005, kur opozita e tashme, atëherë në qeveri, e perceptoi sundimin e saj si vitet e fundit të qeverisjes dhe bëri gjëmën me greminën financiare.
Qeveria nuk duhet ta mendojë këtë si mandatin e saj të fundit. Do të ishte katastrofë politike e financiare. Nga vizioni i saj për qeverisjen do të vazhdojë drejtimi më tej i vendit, ritmet ekonomike, përballimi sfidave dhe, mbi të gjitha, mirëqenia qytetare. Nëse në fund të këtij mandati pagat e qytetarëve dhe mirëqenia e përgjithshme nuk do të rriten shumë më efektshëm dhe përtej inflacionit, atëherë do të jetë një qeverisje e kotë, kohë e humbur dhe e dëmshme. Fillimi i qeverisjes solide ka zanafillë konceptimin e politik dhe vizionin për të ardhmen; ndryshe gjërat do të bëhen zvarritje dhe besimi do të shkërmoqet.
Të kesh një qeverisje ndryshe do të thotë të ndërtosh edhe një ekip të fuqishëm, jo përmes anonimëve që bëhen të njohur pasi emërohen ministra dhe zhduken pasi kanë përfituar, por përmes figurave të njohura për besimin qytetar dhe aftësitë intelektuale.
Largimi i zëvendëskryeministrit Braçe, ndoshta socialistët të vetëm 24 katër karatësh në qeverisjen e fundit, e pa dyshim më punëtori dhe i pa njollë korruptive, nuk është shenjë e mirë dhe nuk të ngjall besimin e duhur. Nëse ende nuk është harruar, në shpalljen e ndërrimeve qeveritare, personaliteti që u mirëprit nga asambleja socialiste përmes duartrokitjeve dhe besimit absolut ishte pikërisht Erion Braçe, largimi i tij lë pas vetes mjaft enigma, të cilat nuk mund të heshtohen.
E majta duhet të qeverisë përmes së majtës e jo përmes teknokratëve që kanë afërsi me shefin e qeverisë, por jo me të majtën votuese dhe me njerëzit e tjerë. Duhet të jetë një qeveri me ministra autoritarë dhe jo drejtues që duken si zëvendësministra të truar, të cilët dridhen nga zëri i shefit. Qeveri me figura të njohura intelektuale në të gjitha fushat, me koncepte të qarta drejtimi dhe autoritet të krijuar përmes asaj që kanë bërë dhe jo asaj që i ftojnë për të bërë. Duhet mendimi akademik dhe krijimi i një fushë-loje solide, çka nuk mund të bëhet përmes figurave të korruptuara, që një ditë mund të jenë në listat e personave të padëshiruar të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Konceptimi i qeverisjes së tanishme si një vazhdë e mëtejme dhe, përtej saj, si trazim i vazhdimit të qeverisjes, duke mos e menduar si mandatin e fundit, nuk është se Edi Rama duhet të rrijë pa fund në pushtet. E majta mund të bëjë edhe pa Edi Ramën, ky i fundit nuk mund të qeverisë edhe më tej pa të majtën progresive, të mençur dhe të lirë në bindjet e saj.
Edi Rama është njeriu që ka qeverisur më gjatë, në të gjitha nivelet dhe mandati i tretë nuk është dhuratë e as fundi i rrugës politike të së majtës. Duke mos pasur një alternativë të përgjegjshme, të besuar dhe konceptuale, ai vetë, Edi Rama, duhet të punojë me përgjegjësi të rritur, sepse rasti i dhënë është unik dhe vështirë i përsëritshëm.
Nëse katër vitet e ardhshme nuk do të sjellin këtë mendësi dhe ecje të ndryshme atëherë ky do të jetë mandati i fundit i qeverisjes Rama dhe, në të njëjtën kohë, fundi i rrugës politike të tij. Gjithçka fillon nga konceptimi. Dhe njerëzit që e bartin atë.
Sidomos qeverisja./ Dita