“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Çfarë duhet të di për sindromin metabolik?
Mjeku: Sindromi metabolik nuk është një sëmundje e vetme, por një grup problemesh të shëndetit: dhjami rreth barkut, trigliceride të larta, hiperkolesterolemi, hipertension, glicemi e lartë. Nëse keni të paktën tre nga këto probleme, shanset për të zhvilluar sëmundje të zemrës, diabet dhe stroke janë më të larta.
Perimetri i barkut
Nëse shëndosheni gjithmonë më shumë përreth barkut – ose keni një trup në formë molle, keni më shumë gjasa për sindrom metabolik. Risku është i lartë nëse perimetri i barkut për gratë është më i madh se 88 cm dhe 102 cm për burrat. Problemi nuk është vetëm dhjami në vetvete, por edhe lokalizimi i tij – dhjami përreth barkut rrit rrezikun për sëmundje të zemrës dhe gjendje të tjera shëndetësore.
Trigliceridet e larta
Trigliceridet janë një lloj yndyre në gjak të cilat trupi i prodhon si pasojë e kalorive të tepërta. Nëse nuk e mbani nivelin e tyre poshtë 150mg/dl, keni më shumë gjasa për t`u prekur nga sindromi metabolik. Mund të merrni trajtim për të ulur nivelin e triglicerideve, por mënyra më e mirë është të humbisni peshë, të bëni aktivitet fizik dhe të reduktoni sasinë e kalorive që merrni.
Niveli i ulët i kolesterolit HDL
HDL është ai që e quajmë “kolesteroli i mirë”, i cili ndihmon në uljen ë nivelit të LDL-së, që njihet si “kolesteroli i keq”. Nëse HDL është më pak se 50mg/dl për gratë dhe 40mg/dl për burrat, kjo mund t`ju bëj më të prirur për të zhvilluar sindrom metabolik. Mund të rrisni nivelin e HDL-së me rënien në peshë, dietë më të mirë dhe ndryshime të tjera të stilit të jetesës.
Mat nivelin e kolesterolit
Glicemi esëll e lartë
Nëse nuk keni ngrënë për rreth 8 orë, niveli i glicemisë në gjak bie dhe trupi fillon të marrë energji nga glukoza e depozituar. Për të ruajtur nivelin e glicemisë në normë, trupi përdor një hormon të quajtur insulinë. Por ndonjëherë ndodh që ky proces nuk menaxhohet siç duhet nga trupi ynë dhe niveli i glicemisë esëll është i lartë. Vlerat mbi 100 mg/dl tregojnë se jemi drejt rrugës së sindromit metabolik.
Mat nivelin e glicemisë
Hipertensioni arterial
Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku shtyn muret e arterieve. Nëse vlera e tensionit është më e lartë se 130/85, mund të keni gjasa për sindrom metabolik. Një mënyrë natyrale për të ulur vlerën e tensionit është duke humbur 5% të peshës tuaj trupore. Bëni aktivitet fizik, mos pini duhan dhe hani ushqime të shëndetshme me pak kripë.
Çfarë e shkakton sindromin metabolik?
Të moshuarit janë më të prirur për të patur sindrom metabolik dhe shpesh herë gjenet luajnë një rol. Sigurisht që nuk mund të bëni shumë për gjenet tuaja, por mund të ndryshoni shumë duke përmirësuar stilin tuaj të jetesës, duke ulur shanset për sëmundje koronare, atak në zemër dhe diabet të tipit 2.
Kryeni aktivitet fizik
Personat që janë më pak aktivë, kanë më shumë shanse për të zhvilluar sindrom metabolik. Rekomandohet 30 minuta aktivitet fizik në ditë, për të paktën 5 ditë në javë. Por mos u mjaftoni me kaq. Sa më shumë aktivitet fizik që të bëni, aq më mirë për shëndetin tuaj. Ndonjëherë, edhe vetëm 10 minuta aktivitet fizik në ditë mund të sjellin përfitime për shëndetin tuaj.
Pesha ka rëndësi
Mbipesha është një tjetër shkak i sindromit metabolik. Është ngushtësisht i lidhur me gjithë problemet shëndetësore të sindromit metabolik. Mund të shkaktojë edhe rezistencën ndaj insulinës, hormoni që e mban nivelin e glukozës të qëndrueshëm – një tjetër shkaktar i sindromit metabolik.
Kërko një konsultë endokrinologu
Ndryshoni zakonet
Kjo është këshilla e parë që do të merrni nga mjeku për trajtimin e sindromit metabolik. Reduktoni nga dieta sheqerin, kripën, yndyrat e ngopura dhe ushqimet e përpunuara, hani shumë fruta, perime dhe drithëra. Bëni aktivitet fizik. Mos pini duhan.
Të gjitha këto ndryshime do ju ndihmojnë të ulni nivelin e glukozës në gjak, presionin e gjakut, trigliceridet, kolesterolin dhe perimetrin e barkut – 5 gjërat që rrisin riskun për sindrom metabolik.
A ndihmojnë barnat?
Nëse ndryshimet në stilin e jetesës janë të pamjaftueshme për të kontrolluar sindromin metabolik, mjeku do ju rekomandojë trajtim me barna. Mund të merrni barna për:
– Uljen e kolesterolit dhe triglicerideve
– Uljen e riskut për atak në zemër
– Uljen e tensionit
– Të parandaluar mpiksjen e gjakut
– Të luftuar sëmundjen koronare të zemrës.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.