Khaled Hosseini, autori i bestsellerit “Gjuetari i balonave” dhe jo vetëm, lindur në Afganistan, iu ka kërkuar Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre të “ushtrojnë presion legjitim” mbi talebanët në përpjekje për të mbrojtur të drejtat e njeriut të grave dhe vajzave afgane.
Në një intervistë për ”CBS News”, Hosseini tha, se skenat “shumë prekëse” që vijnë nga Afganistani, për momentin “flasin për frikën dhe ankthin që populli afgan ka me ardhjen e talibanëve”. “Unë shqetësohem për njerëzit e Afganistanit, veçanërisht, gratë dhe fëmijët, që vuajtën më shumë herën e fundit, kur talibanët sunduan këtë vend”, – tha ai.
Autori, i cili ka qenë Ambasador i Vullnetit të Mirë për UNHCR (Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut) deri në 2006, tha se ndërsa “përparim i madh u bë”, për gratë nën mbikëqyrjen amerikane, në Afganistan, “tani e gjithë kjo, është e kërcënuar dhe askush nuk e di, se çfarë do të sjellë e ardhmja për Afganistanin”.
Duke paralajmëruar se trashëgimia e SHBA-së mbetet në pikëpyetje, Hosseini tha, se “SHBA dhe aleatët, duhet të ushtrojnë presion legjitim dhe të përshtatshëm ndaj talebanëve, për të mos përdorur dhunën, si mjet kundër qytetarëve afganë dhe për të respektuar të drejtat themelore të njeriut dhe të qytetarëve afganë, veçanërisht, për gratë dhe vajzat”.
Romani i Hosseinit, i vitit 2008, “Një mijë diej vezullues”, përshkruan pengesat dhe rreziqet me të cilat përballen dy protagonistet gra, “kur talebanët marrin kontrollin” dhe “jeta bëhet një luftë e dëshpëruar kundër urisë, brutalitetit dhe frikës”.
Duke kujtuar sesi ishte jeta për njerëzit afganë para ardhjes së Shteteve të Bashkuara, Hosseini tha për ”CBS News”: “Talebanët i shkaktuan dhe imponuan një interpretim shumë të rreptë, të ligjit islamik, nga populli afgan.
“Kjo preku veçanërisht gratë, të cilave, u ndalohej të largoheshin nga shtëpia. Ato, në thelb, u sekuestruan në shtëpitë e tyre, i bënë të burgosura brenda shtëpive të tyre. Nuk mund të dilnin pa një shoqërues të gjinisë mashkullore, nuk ishin në gjendje të punonin, të arsimoheshin. Madje, as nuk ishin në gjendje të shfaqnin fytyrën në publik. Burra dhe gra, u rrahën publikisht. Të gjithë i mbajnë mend pamjet e tmerrshme të ekzekutimeve në publik,” -tha autori.
I pyetur se çfarë beson se do të jetë trashëgimia e periudhës së pranisë amerikane në Afganistan, autori tha se, ndërsa 20 vitet e fundit ishin “të mbushura me hapa të gabuar, llogaritje të gabuara dhe gabime që u bënë gjatë rrugës, me shumë njerëz të humbur, pati përparim të madh gjithashtu”.
Hosseini theksoi, se: “Gratë u kthyen në fuqinë punëtore, gratë zunë 25 për qind të vendeve në sallën e ulët të parlamentit. Gratë ishin në televizion, në kujdesin shëndetësor, arsim, ato u bashkuan me policinë, u bënë guvernatore të përkohshme… ky ishte përparim. Ndërsa tani, gjithë çfarë u arrit është e kërcënuar dhe askush nuk e di, se çfarë do të sjellë e ardhmja për Afganistanin. Për këtë arsye, kjo arritje është në pikëpyetje” – paralajmëroi ai.