MENU
klinika

Rebeli i dëshpëruar

M A J A K O V S K I

29.08.2021 - 19:14

        Vladimir Majakosvki sapo kishte mbushur të trembëdhjetat, kur lexoi Marksin për herë të parë. Shumë shpejt mori pjesë në takimet e fshehta dhe shpërndau broshura të Partisë Bolshevike. Në vitin 1909, adoleshent, u arrestua për herë të tretë dhe kaloi njëmbëdhjetë muaj në burgun e Butyrkas. Në vetminë e qelisë 103, Majakosvki përsosi të shkruarin dhe artin e tij. Shtatlartë, agresiv, i majtë, Vladimir Majakosvki është poeti paradoksal që dominoi dekadën e parë të Bashkimit Sovjetik. Vargjet e tij i bënë jehonë revolucionit, vrulleve ekstravagante dhe shpërthimeve të tij. Mirëpo, pavarësisht statusit si propagandues zyrtar, Vladimir Majakovski ruan njëherazi imazhin e poetit “të mallkuar” në Rusi. Pa dyshim, për shkak të vetëvrasjes së tij, në 14 prill 1930, në moshën 36-vjeçare./Konica.al

Artist që kridhej furishëm në art, ai provoi edhe kinemanë apo leximet e veprave në publik. I thuri lavde revolucionit, por nuk u bë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste. Guximi i hapur dhe dëshira për të provokuar, i krijuan shumë armiq brenda regjimit. Po ashtu, ai ishte një lojtar i pandreqshëm, kishte fobi mikrobet dhe pasion për gratë. Ishte i rreptë me të afërmit, i apasionuar, i aftë të sillej me harbutëri. Dashurinë e jetës, Elsën, e njohu përmes së motrës, Lilit. Më pas, Elsa shkoi të jetonte në Francë dhe u bë e njohur si Elsa Triolet, gruaja e Luis Aragonit.

Në rrethin e Vladimir Majakosvkit takojmë figura të shumta artistike të kohës, si Gorki, Pasternak, por jo domosdoshmërisht pati marrëdhënie të mira me ta. Gjatë udhëtimit të parë në Francë, takoi Vladimir Pozner, i cili shprehet: “Ishte aq i gjatë, saqë edhe kur rrinte ulur, të lindte dëshira ta ftoje të ulej. Shkova ta takoja në një dhomë kaq të vogël hoteli, që nuk i përshtatej Majakosvkit dhe këpucëve të tij. Këpucët i la te dera dhe, që të futesha unë, ai duhej të futej në shtrat”. Siluetë gjigande me zë të ulët, cigaren në cep të buzëve, ky është imazhi që na mbetet nga Majakosvki. Në Rusi, leximet e tij mblodhën turma. Kreu vetëvrasje, më 14 prill 1930. Brenga personale? I lodhur, duke u përpjekur të mishëronte përherë avangardën? Ndjesia e asfiksisë politike? Është e pamundur t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Letra e fundit ishte në vargje: “Po vdes, mos fajësoni askënd. Asnjë thashethem, i ndjeri nuk i honepste dot”.

Emri i Vladimir Majakosvkit lidhet pazgjidhshmërisht me imazhin e revolucionit rus. Autori i poezisë “Odë për revolucionin” ishte i sinqertë. Krijimtaria dalë nga pena e tij, i buronte nga zemra, duke pasur stilin, imazhet dhe të shprehinë karakteristike. Thuhet rëndom se “revolucioni gllabëron fëmijët e vet”, diçka e ngjashme ndodhi me Majakosvkin. Është e vështirë të gjesh një tjetër krijues, që i përkushtohet me kaq dashamirësi një teme “duke ecur në grykën e këngës së tij”./Konica.al

Poet dhe dramaturg, Majakovski është një legjendë: mjaft t’i shqiptohet emri dhe do dëgjojmë përplasjen e flamujve të revolucionit 1917, si për të qortuar tërbimin e lëvizjes futuriste. Duke aderuar në futurizëm, Majakovski nisi një betejë kundër konformizmit, borgjezisë dhe vlerave të saj. Shumë shpejt u përhap në mbarë botën, falë veprimtarisë së jashtëzakonshme të Marinetit. Në Rusi, futurizmi u bë i njohur në 1912, ku u formua një grup i vërtetë dhe prodhoi vepra me vlerë të madhe, por në kundërshtim me pikat thelbësore me Marinetin. Futuristët rusë ishin apolitikë dhe e konsideronin të pamendueshme, që arti “të shfaqë në flamurin e saj idealet e masave punëtore, pasi trekëndëshi merr formë katrore”. I shfaqur në skenën poetike ruse si mishërimi i poetit modern, agjitatorit dhe propagandistit të palodhur, Majakovski është zhytur në shakullinën e historisë. Nisur nga popullariteti, Majakosvki udhëtoi në Letoni, Britani, Gjermani, Meksikë, Kubë dhe SHBA në vitet 1920, ku shkroi esenë: “Zbulimi im i Amerikës” (1925). Midis 1922 dhe 1928 Majakosvki u përfshi në avangardën sovjetike lëvizja Fronti i Majtë i Arteve dhe redaktoi revistën e lëvizjes LEF. Qe autor i dy shfaqjeve satirike: “Çimka” (1928) dhe “Banja” (1929).

Rrethanat e vdekjes së Majakovskit mbeten ende mbuluar nga misteri: më 14 prill 1930, poeti vret veten në banesën e tij në Moskë. Dy ditë më parë, ai kishte shkruar këto vargje: “Siç thonë ata / incidenti u mbyll / Varka e dashurisë / u shkatërrua nga jeta e përditshme”. Fjalët e tij të fundit qenë: “Qofshi të lumtur”.

I admiruar, po aq sa edhe i urryer, pasioni i zjarrtë për poezinë i kuptuar si akt revolucionar, nuk e fsheh faktin se, Majakosvki ishte personalitet me brishtësi të jashtëzakonshme i vargjeve plot muzikalitet./Konica.al

***

Re Me Pantallona – (Pjesa I, shqipëruar: KADARE)

I merrni përçart fjalët e mia ?
Kjo ndodhi
Ndodhi n’Odesë
“Do vij në katër” – tha Maria.

Tetë
Nëndë,
Dhjetë e pesë

Ja dhe mbrëmja,
Në honin e natës,

Rrëshqet nga dritoret
E mvrejtur,
Mbrëmje dhjetori.
Mbi shpinat e ndryshkura shqyhen ne gaz
Temjanorët.
Mua tani me zor do më njihni:
Një masë dejesh,
Rënkon.
E tërë.
C’i duhet vallë gjithë këtij shkëmbi ?
Por shkëmbi i duhen shumë gjëra!
S’ka rëndësi.
Pse ky bllok është prej bronxi,
Dhe se zemra është hekur e ftohtë.
Natën do që gulçimin tënd
Ta ndrysh tek një grua
E ngrohtë.

Dhe ja,
I madh
Përkulem mbi qelq,
Ballin shtrëngoj në dhimbjen e kockave.
Do vijë dashuria apo jo ?
Cila dashuri,
E madhja, apo e vockëla ?

Nga e gjeti të madhe ky trupth ?
Duhet për të një dashurizë e vogël,
Një dashuriçkë!
Ajo ju trëmbet borive t’automobilave,
Ka qejf tingujt e zileve
Të deriçkës.

Akoma dhe akoma
i lagur nga uji,
Përballë fytyrës së shiut të rreptë,
Pres,
Spërkatur nga ushtima e dallgës së qytetit.

Mesnata si me thikë,
E ndoqi
Dhe e preu
Të mallkuarin!
Ra ora dymbëdhjetë,
Si koka nga supet e t’ekzekutuarit.

Në xhamë pikat e shiut
Gjarpërojnë,
Si një grimasë vigane lëvizin,
Sikur ulërijnë kimerat
E kishës Shën Mërisë së Parisit.

E mallkuara!
Dhe kjo duhet këtë natë!
Erdh’ koha të ulërij.
Dëgjoj:
Në heshtje,
si i sëmuri nga shtrati,
u hodh një nerv.

Dhe ja
Në fillim kaloi,
Calë-çalë,
Pastaj me vrap,
Ndihet qartë,
I shqetësuar.
Tani ai dhe pas tij dy të tjerë
Sulen me vrap të tërbuar.

U shemb suvaja e katit të parë.

Nervat
Të mëdhenj,
Të vegjël,
Të rëndë,
Hidhen të harbuar,
Dhe ja,
Nervave po u merren këmbët!

Dhe nata në dhomë zgjatet dhe zgjatet,
Nga mpirja dhe hija të rënduar sytë.
Pa pritur dyert kërcasin,
Sikur hotelit
Dhëmbët i kërcitën.

Hyre ti,
E rreptë si “na”-ja
Dorashkat duke vërtitur, ndërkohë
The:
“E dini –
Unë do martohem!”
E mirë, martohuni.
S’ka gjë.
Do duroj.
E shihni sa i qetë rri!
Si pulsi
I të vdekurit.

Ju kujtohet ?
Ju thatë:
“Xhek London,
Pasion,
Pare,
Të bredh”,
Por unë një gjë dija:
Ju jeni Xhokonda.
Të cilën duhet ta vjedh.

Dhe ma vodhën.
Prapë do loz i dashuruar,
Harqet e vetullave do t’i ndez flakë.
C’t’i bësh ?
Dhe në shtëpinë, q’u dogj e u shkrumbua,
Nga një herë jetojnë endacakë!

Talleni ?
“Më pak se ç’ka kopekë lypësi,
Ju keni gurë çmendurie të rrallë”
Mos harroni
Si u shëmb Pompeu,
Kur pompeasit Vezuvin tallën.

Ej!
Zotërinj!
Amatorë
Shenjtorësh,
Krimesh të tmerrta,
Më të tmerrshmen gjë,
A e kini parë,
Fytyrën time,
Kur
Unë
Jam absolutisht i qetë ?
Dhe e ndjej
“Unë”
Për mua është pak
Dikush tjetër me çpon brenda trupit si kama
Alo!
Kush flet ?
Mama

Mama!
Biri juaj u sëmur mrekullisht.
Mama!
Atij zjarr në zemër i ra.
I thoni motrave Ludës dhe Oljës
Se vëllai ku të futet s’ka.
Cdo fjalë
Bile dhe shakatë,
Që shqipton me gojën, q’i digjet
Hidhen si prostitutat lakuriqe
Prej shtëpise publike, që ka marrë flakë.

Njerëzit nuhasin,
Mban erë mish i djegur.
Dikush vrapon.
Kaska.
Shkëlqime.
Mos hyni me çizme!
U thoni zjarrfiksave:
“Në zemrën që digjet hyet me ledhatime.”

Shpëtoj vetë.
Lotët e syve zbraz si fuçija.
Më lini të kapem për brinjësh
Hidhem! Hidhem! Hidhem! Hidhem!
U shembën.
Prej zemrës dot nuk hidhesh!

Nga zgavra e buzëve
Nga fytyra, që u dogj,
Një puthje e përcëlluar hidhet përjashta.

Mama!
Nuk mund të këndoj!
Në kishën e zemrën kumbojnë veç psallmet.
Figurat e fjalëve dhe shifrave të përcëlluara
Nga kafka dalin,
Si fëmijët nga gërmadhat pranë.
Kështu dikur
U ngritën të tmerruara
Drejt qiellit
Duart e shkrumbuara të “Luizitianës”.

Njerëzve të trembur
N’apartamentet e qeta
Mëngjezi ju hyn
Me njëqind sy.

Britmë e fundit,
Së paku për mua, të djegurin,
Në shekuj, rënko ti.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN