MENU
klinika

"Trëndafili i bardhë"

Mbretëresha besnike e shqiptarëve

06.08.2021 - 13:56

        Lindi në Budapest, më 6 gusht 1915, mbretëresha Geraldinë.

Ajo lindi si Kontesha Geraldine Margit Virginia Olga Maria Apponyi de Nagy- Appony. Geraldina u bë bashkëshortja dhe Mbretëresha e Madhërisë së Tij, Mbretit Zog të Shqiptarëve dhe nëna e Madhërisë së Tij, Mbreti Leka I i Shqiptarëve. Mbretëresha Geraldine ndërroi jetë më 22 tetor 2002, në moshën 87-vjeçare, në Spitalin Ushtarak të Tiranës, Shqipëri, sipas faqes zyrtare të familjes mbretërore shqiptare.

Familja Appony daton që në periudhën e mesjetës, kur Hungaria ishte pushtuar nga arpadianët në vitin 894 të erës sonë. Familja Appony mori pjesë në ngritjen e Mbretërisë hungareze nën dinastinë Arpadian. Titulli “Chevalier d’Appony” (Kalorës i Aponisë) shfaqet për herë të parë në arkivat e një pallati shumë të madh, “Nagy Appony”, i cili deri në Luftën I Botërore mbeti në pronësi të familjes. Sot ky pallat ndodhet në territorin e Sllovakisë në qytezën Oponice. Traktati i Trianonit i vitit 1920 ndau një pjesë të gjerë të territoreve të Hungarisë, përfshirë edhe pronat e familjes Appony, të cilat u aneksuan.

Të gjithë paraardhësit e familjes Apponi kishin një karrierë politike të suksesshme, duke arritur poste të larta në Perandorinë Austro-Hungareze.

Vëllai i gjyshit të Geraldinës, Konti Albert Appony, drejtonte delegacionin hungarez në Konferencën e Paqes dhe të Versajës. Ai më pas, përfaqësoi Hungarinë në Ligën e Kombeve.

Gjyshi i Mbretëreshës Geraldine nga ana e babait, Konti Lajosh Appony, ishte këshilltar personal, shambellan dhe mareshall i madh i Oborrit Perandorak të Franc Jozefit. Gjyshja e saj, Kontesha Margarite, ishte një aristokrate prusiane dhe vajza e Kontit Herman Roger de Seherr-Tho B, pasardhës i Princit Ernest-Joakimd’Anhalt, pseudonimi i të cilit ishte “Babai i mbretërve”.

Géraldine Apponyi, née comtesse Géraldine Margit Virginia Olga Mária Apponyi de Nagy Appony, le 6 août 1915 à Budapest et morte le 22 octobre 2002 à Tirana, a été reine consort d’Albanie entre 1938-1939, par son mariage avec le roi Zog Ier.

Gjyshi nga ana e nënës së mbretëreshës Geraldinë ishte John Henry Stewart. Familja Stewart emigroi nga Skocia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u vendosur në shtetin Maryland në shekullin XVII. Në vitin 1880, pas një karriere të suksesshme në biznes, John Stewart u bë diplomat dhe u emërua Konsull i Përgjithshëm në Anvers. Në vitin 1890, ai u martua me Virginia Ramsey Harding, gjyshja e Mbretëreshës Geraldinë. Familja Ramsey vinte nga Karolina e Jugut, ndërsa Hardings ishin pronarë të mëdhenj tokash në Karolinën e Veriut, me origjinë irlandeze. Nëna e Geraldinës, Gladys Virginia Stewart, lindi më 18 korrik 1891. Babai i saj, John Stewart u sëmur dhe vdiq të njëjtin vit që u emërua ministër i plotfuqishëm i SHBA-së në Londër, në fund të vitit 1891.

Në vitin 1902, Virginia Ramsey Harding u martua përsëri me Gustave de Strale d’Ekna, ministër dhe shambellan i Mbretit Oskar II i Suedisë. Ata jetuan në Paris ku Gustavi u bë si një baba i dytë për Geraldinën që në moshë të hershme.

Gladys Virginia Stewart njohu bashkëshortin e saj të ardhshëm dhe të atin e Mbretëreshës Geraldine më 3 qershor 1914 në Paris. Konti Gyla Apponyi ishte një baba i jashtëzakonshëm për geraldinën dhe njeri mjaft zemërmirë. Në gusht 1914, Konti Gyla ishte oficer ndërlidhës në ushtrinë austro-hungareze. Ai u godit dhe u plagos ndërsa luftonte në Serbi. Më pas ai u kthye në Austri ku shërbeu në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë. Për shkak të komplikacioneve që u shkaktuan nga plagët e marra në luftë kundër ushtrisë serbe, ai ndërroi jetë disa vite më pas, në 1924.

Geraldina së bashku me motrën e saj më të vogël Virginia dhe vëllanë Gyla, jetuan me gjyshen nga babai, Konteshën Margarite. Kontesha Gladys vite më pas u martua me admiralin francez, Gontran Girault, me të cilin patën tre fëmijë, Sylviane Girault Muselier, Guy Girault dhe Patricia Girault.

Pas vdekjes së gjyshes, halla e tyre, Kontesha Fanny Karolyi, u kujdes për Geraldinën, Virginian dhe Gylan. Kontesha Fanny kishte kështjellën e famshme “Zebegeny”, ku Geraldina kalonte zakonisht verën. Gjatë sezonit veror, Geraldina merrte pjesë gjithashtu në programet VEZ në Zebegeny, ku merrej me kopshtari, aktivitete sportive dhe organizimin e shfaqjeve teatrale për fëmijë.

Që në fëmijëri, për shkak të bukurisë dhe ngjyrës së bardhë të lëkurës, Geraldina mori pseudonimin “Trëndafili i bardhë”.

Ajo jetoi dhe u edukua siç kërkonte tradita deri në vitin 1937, kur u prezantua si nusja e ardhshme e mbretit Zog.

Kontesha fitoi menjëherë zemrën e mbretit të shqiptarëve, me të cilin, një vit më vonë do të martohej dhe prej atij momenti, deri në vdekjen e saj ajo u quajt mbretëresha Geraldinë: mbretëresha e shqiptarëve.

Qëndrimi i saj i shkurtër në Shqipëri, nuk e ndaloi të merrej me filantropi dhe në ndihmë të të pamundurve, forcimin e vlerave familjare dhe morale.

U largua nga Shqipëria në vitin 1939, si mbretëreshë, qëndroi pranë mbretit deri sa ai vdiq, për ta vazhduar ajo traditën e familjes mbretërore shqiptare, deri sa mbylli sytë në Tiranë, në vitin 2002, në moshën 87 vjeçare. 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fotot me ngjyra/ Një histori si në përralla!

81 vite e 1 ditë nga dasma mbretërore që pa Shqipëria