MENU
klinika

“Nuk ka dua, s’dua”

Paralajmëron kryeministri: Vaksinimi për pedagogët dhe studentët do të bëhet i detyrueshëm

26.08.2021 - 11:59

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar këtë të enjte Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, në prag të fillimit të vitit të ri akademik.

Ai solli në vëmendje situatën në botë, dhe shtimin e rasteve në vendin tonë, për shkak të qarkullimit të variantit “Delta”.
Gjatë këtij inspektimi Rama tha se mund të vijë momenti që vaksinimi i studentëve dhe pedagogëve të bëhet i detyrueshëm.

“S’ka nuk dua”- u shpreh kryeministri. “Ajo që është me rëndësi dhe duhet të komunikojmë intesivisht me gjithë rektoratin është që mund të vijë momenti, duke pasur parasysh me ca po ndodh në botë, duke pasur parasysh rreziqet e variantit ‘delta’ që vaksinimi për studentët që do hyjnë në auditorë të bëhet i detyrueshëm. Nëse vjen momenti mos thonë që nuk na thanë. Këtu nuk ka dua apo nuk dua. Është përgjegjësi që nëse për veten e tyre mund të thonë ne nuk duam t’ja dimë, të tjerët mos ti marrin në qafë. Edhe për pedagogët e njëjta gjë, nuk ka nuk dua. Kanë përgjegjësi të mbrojnë edhe të tjerët”, tha Rama në prani të ministres së Arsimit, Evis Kushi.

Ndërkohë, në llogarinë e tij në Facebook, kreu i qeverisë shkroi: “Vaksinimi i studentëve është një domosdoshmëri për ecurinë normale të këtij viti të ri akademik, kur bota po përballet me shenjat shqetësuese të një vale të tretë infeksioni, për shkak të variantit Delta të koronavirusit, prandaj të gjithë studentët duhet të mbajnë qysh sot parasysh, se në varësi të numrave epidemiologjikë, vaksinimi mund të kthehet i detyruar për këdo që hyn në auditorë”.

Gjatë inspektimit, kryeministri nuk la pa përmendur edhe çështjen e afganëve, që do të strehohen në godinat e konvikteve në Qytetin Studenti. Rama u shpreh se nuk bëhet fjalë për të nxjerrë studentët për të strehuar refugjatët afganë por për një akomodim të përkohshëm deri në përfundim të sezonit veror. “Këtu është pjesa ku përkohësisht do vendosen afganët. Megjithëse po shtyhet ardhja e tyre për shkak të shtyrjes së fluturimeve. Mund të ndodhë që mund të mos nevojiten nëse lirohen strukturat hoteliere pas përfundimit të sezonit. Nuk bëhet fjalë që të ikin studentët për të sjellë afganët këtu”, u shpreh Rama. Verën e ardhshme ata pritet të transferohen sërish, pasi koha e qëndrimit të tyre në Shqipëri do të jetë të paktën 1 vit, sipas vendimit të marrë ditën e djeshme.