MENU
klinika

A² + B² = C²

Pitagora a babilonasit?!

16.08.2021 - 15:50

       E njohim si Formula e Pitagorës: a² + b² = c². Por, ka gjasa që 3 700 vjet më parë, babilonasit ta kenë përdorur trigonometrinë për të matur tokën, pra 1,000 vjet para Pitagorës. A duhet rishkruar historia e matematikës?

Një pllakë misterioze prej balte, mund të revolucionarizojë historinë e matematikës. Ajo është gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike që në vitin 1894, në afërsi të Bagdadit të sotëm, por qe harruar në një cep largët të Muzeut Arkeologjik në Stamboll.

Në vitin 2018, matematikani australian Daniel Mansfield, i Universitetit New South Wales (UNSW), pa një fotografi të këtij artifakti dhe u entuziazmua prej katrorëve të përsosur. Prandaj, ai shkoi në Turqi për ta ekzaminuar pllakën misterioze.

Më në fund, arriti ta zgjidhë enigmën: pllaka 3,700-vjeçare, që i përket periudhës së vjetër babilonase, nuk paraqet vetëm figurën më të vjetër të njohur të gjeometrisë së aplikuar, por tregon edhe mënyrën e lashtë të babilonasve për konceptimin e trekëndëshave.


A ka kopjuar Pitagora?

Deri tani, mendohej se trigonometrinë e kishin zhvilluar grekët e lashtë ose filozofi dhe matematikani, Pitagora. Por, sipas analizave të reja, trigonometria është përdorur një mijë vjet para lindjes së Pitagorës. Prandaj, Daniel Mansfield shprehet në studimin e tij, “Plimpton 322: A Study of Rectangles” se, ndoshta, historia e matematikës duhet rishkruar.

“Plimpton 322″ është një pllakë tjetër prej balte, me madhësinë e një kartoline, nga periudha babilonase, ku është gdhendur me shkrim në formë pyke tabela trigonometrike më e vjetër që njohim deri tani.

Sistem numërimi bazuar tek 60-ta

Sipas Mansfield, llogaritjet e babilonasve ishin shumë më të sakta, se ato të grekëve, sepse, ndryshe nga ato të grekëve, ato nuk bazoheshin në kënde dhe funksione rrethore, por në raporte numerike. Ngjashëm me njësinë tonë të kohës, babilonasit përdornin një sistem numërimi të bazuar tek 60-ta, që do të thotë se pjesëtimet e tyre jepnin shumë më shpesh numra të plotë, kështu që kishte më pak gabime me rrumbullakimin.

Ndarje pronash bazuar në përllogaritje të sakta gjeometrike

Në rastin e ”Plimson 322”, nuk ishte e qartë se, përse përdorej seria e numrave, për ndërtimin e ndërtesave, apo për matjen e tokave. Përgjigjen për këtë e jep tani pllaka ”Si.427”,  që përmban detaje ligjore dhe gjeometrike për një copë tokë që ishte ndarë, pasi një pjesë e saj ishte shitur. Kemi të bëjmë pra, pak a shumë, me një dokument kadastral, ku janë të regjistruara kufijtë e saktë të pronësisë së tokës.


Por, për të përcaktuar madhësinë e pronës, fillimisht, sipërfaqja e tokës duhej të matej nga një gjeodezist, i cili, duhet të përcaktonte edhe kufijtë. Për këtë matje, gjeodezistët babilonas bazoheshin në barazimin e brinjëve të trekëndshave këndrejtë mbi të cilët, bazohet dhe teorema e Piragorës.

Pallaka ”Si.427” daton nga koha kur kishte nisur privatizimi gradual i tokës dhe njerëzit kishin filluan të mendonin për tokën, në kuptimin e “toka ime dhe toka jote” dhe donin të vendosnin një kufi të saktë, për të pasur marrëdhënie të mira fqinjësore, – thotë Mansfield.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Një botë që mbahet me gënjeshtra"

Biseda e fundit e Xhordano Brunos, para se ta digjnin…

Gjërat nuk ishin kaq të thjeshta sa sot

Si e matën aq saktë grekët e lashtë perimetrin e Tokës?