MENU
klinika

Alfred Peza

Pse e mbyllën, pasi SHBA dhe BE mbështeti “Ballkanin e Hapur”!

13.08.2021 - 16:40

E kanë mbyllur jo vetëm gojën, por edhe sytë tani që edhe SHBA edhe BE, folën për Ballkanin e Hapur. Bëjnë sikur nuk shohin, tani që Washingtoni dhe Brukseli, e mbështetën publikisht dhe zyrtarisht nismën “Open Balkan”.

Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se Tregu i Përbashkët Rajonal, që përbën thelbin e këtij projekti, është esencial për përparimin e Ballkanit Perendimor. Ndërsa BE tha zyrtarisht se i mirëpresim angazhimet e udhëheqësve për bashkëpinimin rajonal.

Opozitarët tanë në Shqipëri dhe mbështetësit e Albin Kurtit në Kosovës, po bëjnë sikur nuk e kanë mendjen tani që nisma që ata po e gjuanin si të marrë me gurë, mori mbështetjen e dy aleatëve më të mëdhenj strategjikë të shqiptarëve.

E sigurtë është, se pas kësaj, as nuk kanë për të folur. As nuk kanë për të shikuar. As nuk kanë për të dëgjuar. As nuk do të kërkojnë falje. As nuk do të pendohen. As nuk do të reflektojnë. As nuk do të pajtohen. As nuk do ta mbështesin.

E mbi të gjitha, e sigurtë është se, nuk do ti bashkohen iniciativës së udhëheqësve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. As sot, as nesër dhe as deri në vitin 2025. A e dini pse?

Sepse nuk e kanë as me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. As me kryministrin maqedonas Zoran Zaev. Nuk e kanë me SHBA. Nuk e kanë me BE. Nuk e kanë me Open Balkan”. Nuk e kanë fare me “Ballkanin e Hapur”. E kanë patur, e kanë dhe do ta kenë vetëm me Edi Ramën.

Opozitarët tanë janë kundër çdo gjëje që mban emrin e Kryeministrit të Shqipërisë. Opozitarët tanë janë kundër çdo inicitive që mban firmën e Kryetarit të PS. Opozitarët tanë janë kundër çdo projekti që ka për protagonist edhe liderin e mazhorancës shqiptare.

Albin Kurti vetëm pak orë përpara kësaj, në një letër drejtuar organizatorëve të konferencës së zhvilluar në Shkup me temë “Kauzat shqiptare para dhe pas Hasan Prishtinës”, përsëriti se “kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë SHBA dhe BE”.

Pas kësaj lind pyetja: A do ti bashkohet edhe Kosova, nismës “Open Balkan”, tani që ajo u mbështet e inkurajua nga perëndimi? A do të ulet në një tryezë me liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor edhe Kryeministri i Kosovës, pasi SHBA dhe BE e dhanë bekimin e tyre për këtë projekt që deri dje është refuzuar dhe kundërshtuar prej tij?

E sigurtë është që JO. Sepse Albin Kurti fatkeqësisht, po e përdor sot politikën e jashtme të Kosovës, në funksion të prodhimit të ushqimit për politikën e brendshme. Po mundohet që të mbulojë problemet e tij të brendshme, përmes eksportimit jashtë Kosovës të debateve false me gjellë bajate nacionaliste, të shpërndara me një zell të pashuar nga propaganda e tij agresive.

Albin Kurti e udhëhoqi Lëvizjen “Vetëvendosje” për të fituar pushtetin në Kosovë, ndërsa tani po e shpërdoron shansin e qeverisjes, në funksion të përhapjes së partisë së tij në Shqipëri! Duke harruar se ai është votuar nga qytetarët e Kosovës, për ti qeverisur ata më mirë dhe jo për ti harxhuar energjitë, në funksion të ëndrrave të tij politike në Shqipëri.

Ka aq shumë arsye, se përse projekti i Lëvizjes Vetëvendosje nuk ngjit në Shqipëri, sa hapësira e këtij shkrimi i rri shumë ngushtë. Në arritjen e këtij qëllimi Albin Kurtin nuk e ndihmon, as qasja kundrejt Edi Ramës sipas parimit “armiku i armikut tim është miku im”, që ai po zbaton me opozitën shqiptare sot. Ndaj as unifikimi i qëndrimeve me Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe propogandën e tyre, nuk e ndihmojnë dot.

“Ballkani i Hapur” nuk mund tua mbylli dritën e mendjes liderëve shqiptarë në rajon, deri në atë pikë, sa të gjejnë “tradhëtinë e madhe kombëtare” të Edi Ramës tek një projekt i mbështetur nga SHBA dhe BE.

E dimë që opozita shqiptare dhe Albin Kurti janë në hall me perëndimin; me BE dhe SHBA. Por ai nuk zgjidhet duke zbatuar parimin: Për inat të Edi Ramës, do shkoj të fle me “mullixhiun” e rajonit!