MENU
klinika

Romani-univers

Tolstoi madhështor

29.08.2021 - 15:42

         Dashuria dhe agonia janë dy fjalët, që pjesa dërrmuese e njerëzve nuk do t’i vinin kurrë bashkë. Dashuria supozohet se krahasohet me lumturinë dhe kujtimet e këndshme, kurse agonia duhet të lidhet me gjëra të tilla, si vdekja dhe trishtimi. Mirëpo, nëse lexon “Ana Karenina” të Tolstoit, të krijohet përshtypja se jo gjithmonë ndodh kështu. Dashuria dhe agonia mund të shkojnë dorë për dore, gjë e cila shihet qartazit përmes historive të shumta të martesës dhe romancës në roman./Konica.al

“Që një libër të jetë i mirë, – i thotë së shoqes Tolstoi, Sonjës, më 2 mars 1877, – duhet të duash idenë kryesore dhe esenciale të tij. Pra, tek “Ana Karenina” unë e doja idenë e familjes”.

Tolstoi, i pasionuar pas historisë së popullit rus, i fiksuar pas vdekjes dhe lumturisë tokësore, i drobitur nga ankthet ekzistenciale, prodhoi romane të shkëlqyera epike, të cilët spikatin për realizmin dhe përulësinë e personazheve. Emri i Tolstoit lidhet menjëherë me “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina”, romane të mrekullueshme që kanë shënuar historinë e letërsisë për nga gjerësia epike, personazhet e bollshme dhe të gjallë, mënyra e përshkrimit të kohës së jetës dhe kohës së historisë në kohën romaneske. Përmes këtyre romaneve Tolstoi shpiku një formë të re, një roman “univers” që kishte gjithçka: jetën, dashurinë, të vërtetën, vdekjen”.

“Miku im, – i shkruante Turgenjevi nga shtrati i vdekjes Tolstoit, – po shkruaj për t’iu thënë se isha i lumtur që isha bashkëkohësi juaj. Ju jeni shkrimtari më i madh në tokën ruse”.

Nëse letërsia është mjeti për të njohur veten, po edhe tjetrin, ajo shërben gjithashtu si jehonë e realitetit, duke e bërë atë më të kuptueshëm. Në çdo rast, kjo na lejon ta kuptojmë ndryshe çështjen e vetëvrasjes përmes prizmit të subjektivitetit, fantazive dhe të metave narciziste të autorëve që e kanë kuptuar atë. Për Floberin “të përhumbesh në letërsi si në një orgji të përhershme” është mënyra e vetme për të mbështetur ekzistencën. Kjo prirje e natyrshme drejt melankolisë reflektohet në shumicën e veprave të Floberit dhe Tolstoit, çka na shtyn të gjejmë tipare të zakonshme të personazheve në to. Dy heroina romantike të njohura botërisht, Ema Bovari dhe Ana Karenina, nga dy romanet më të njohur në botë “Zonja Bovari” dhe “Ana Karenina”, dy shkrimtarë të mëdhenj, Tolstoi 49-vjeç dhe Floberi 36-vjeç, kur shfaqen dy prej romaneve kryesorë të tyre, që kërkojnë një hapësirë kohore të konsiderueshme pune, përkatësisht 4 dhe 5 vjet. Dy heroina eponime Ana Karenina dhe Ema Bovari, emri i martesës së të cilave paraprihet nga emri i parë, dy heroina kurorëshkelëse, që e përfundojnë jetën e tyre në mënyrë dramatike: në vetëvrasje./Konica.al

“Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj; çdo familje pa lumturi, është e pakënaqur në mënyrën e vet”.

Një nga linjat kryesore të romanit lidhet me Anën e parezistueshme, e cila “nuk e kishte njohur jetën familjare”, duke u rritur nga tezja dhe u martua me Aleksei Kareninin, shumë më i vjetër. Në fillim lexuesi ndjen, me Anën, se ajo që bën është e mrekullueshme dhe romantike, por më pas bëhet joproduktive dhe, së fundmi, një katastrofë. Ky është Tolstoi në të dy paraqitjet e tij: shkrimtari empatik dhe moralist, i vendosur për të treguar se vlerat e familjes duhet të triumfojnë mbi kënaqësinë personale.

Floberi dhe Tolstoi, dy romancierët e mëdhenj të letërsisë realiste, u dhanë jetë protagonisteve të tyre për t’i bërë ato të evoluojnë në një kontekst specifik socio-kulturor, borgjezinë e vogël normane për shkrimtarin francez dhe aristokracinë ruse, nga shekulli XIX, për Tolstoin.

“Ana Karenina” – ky roman i shkëlqyer, nuk do të mbulohet kurrë nga pluhuri i harresës, sepse, edhe nëse zakonet dhe qëndrimet ndryshojnë me kohën, dëshira në format e saj nga më të ndryshme, do të jetë bashkudhëtarja jonë, njëlloj si ndërgjegjja që duhet të vendosë nëse ndonjërës prej tyre duhet t’i vihet fre./Konica.al