MENU
klinika

Në terren edhe dy helikopterë

Zjarret shkatërrojnë qindra hektarë pyje e kullota

16.08.2021 - 08:59

Në të gjithë vendin po punohet për shuarjen e 10 vatrave masive të zjarrit, një pjesë e të cilave janë të reja dhe një pjesë janë favorizuar nga era e fortë.

Një vatër e re zjarri është shfaqur, nën ndikimin e erës në Malin e Tërbunit të Bashkisë së Pukës, e cila rrezikon kurorën e qytetit, por nuk ka rrezik për banesa. Prej një jave situata vazhdon të jetë e rënduar edhe në fshatin Patalej të Lezhës. Pasditen e së shtunës dhe gjatë së dielës, si pasojë edhe e erës, flakët kanë zgjeruar territorin e tyre edhe në fshatin Molung, i cili shtrihet në Bashkinë e Mirditës. Në këtë zonë janë djegur rreth 30 hektarë shkurre. Në terren ndodhen shërbimet zjarrfikëse, ushtria dhe shërbimi pyjor, ndërsa gjatë së dielës ka pasur ndërhyrje edhe nga ajri me anë të helikopterëve. Autoritetet thonë se flakët janë nën kontroll.

Flakët e zjarrit po përhapen me shpejtësi edhe në Verilindje të fshati Lalm të Lezhës dhe në Katund të Vjetër në zonën e Mirditës. Në këto fshatra nuk rrezikohen banesa. “Ka filluar ndërhyrjen nga ajri helikopteri çek për izolimin e zjarrit e më pas do të ndërhyhet me forca ushtarake e bashkiake për të bërë krehjen e plotë të perimetrit të vatrës, në mënyrë që të bëhet izolimi i plotë”, sqaron ministria. Era ka ndikuar në përhapjen e flakëve në fshatin Patalej, Njësia Administrative Kolsh, Bashkia Lezhë. Sipërfaqja e përshkruar deri tani është 30 hektarë, ndërsa është djegur rreth 15 hektarë shkurre dhe pemë. Situata e rënduar paraqitet edhe në fshatin Thirrë të Mirditës. Si pasojë e flakëve, 220 hektarë ah, pishë, dushk dhe bimësi të tjera janë shkrumbuar.

Gjithashtu, flakët kanë djegur edhe 140 hektarë kullota. Për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja nga forcat zjarrfikëse nëpërmjet tokës është e vështirë, ndërsa në aksion për shuarjen e flakëve është angazhuar edhe një helikopter holandez. Edhe në këtë zonë kanë ndërhyrë Forcat e Armatosura në përpjekje për vënien nën kontroll të flakëve. Situatë problem- atike nga zjarri paraqitet edhe në fshatin Flet të Fushë-Arrëz- it. Prania e linjës së tensionit të lartë ka pamundësuar ndërhyrjen e helikopterit holandez, i cili ka ndërprerë punën për shuarjen e kësaj vatre zjarri.

Ministria e Mbrojtjes tha se në këtë zonë ndodhen të dislokuara 100 forca të ushtrisë dhe pushtetit vendor. Flakët vazhdojnë të djegin prej ditësh masive me shkurre edhe në zonën e tunelit të Kalimashit. Vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, Njësia Administrative Malzi, Bashkia Kukës, vazhdon të jetë problematike me gjithë punën e bërë nga forcat e angazhuara nga Bashkia Kukës, si dhe angazhimi nga ajri me helikopter. Sot po vijon puna edhe nga forcat zjarrfikëse, të shërbimit pyjor dhe forcat vullnetare. Por terreni për ndërhyrjen e forcave nga toka është i vështirë, gjë që ndërlikon izolimin e zonës.

Një panoramë e tillë paraqitet edhe në fshatin Dardhë, ku po punohet për të izoluar flakët. Ndërkohë, zjarri në fshatin Kaçni, Njësia Administrative Selishtë, Bashkia Dibër, po zhvillohet me ritëm të shtuar dhe ka dalë jashtë kontrollit, duke u afruar në masivin me pisha në territorin e Bashkisë Klos. Zjarri po përhapet në zonë pyjore, por me intensitet mesatar, duke përfshirë rreth 20 hektarë. Për izolimin e zjarrit janë angazhuar gjatë së dielës rreth 30 forca të Bashkisë Dibër, si zjarrfikës, forca pyjore, të bashkisë e vullnetarë. Për shuarjen e plotë të zjarrit janë angazhuar edhe forca nga Bashkia Mat.

VATRAT E VËNA NËN KONTROLL

Ndërkaq, në fshatin Kryezi, fatmirësisht zjarri është vënë nën kontroll. Pasditen e së dielës zjarri u vu nën kontroll edhe në fshatin Zejmen të Lezhës. Kanë qenë dy zjarrfikëse që kanë bërë të mundur pengimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve, që rrezikonin godinën e Njësisë Administrative si dhe banesat përreth. Situata paraqitet e normalizuar në vatrën e zjarrit në Malin e Tërbunit në Pukë, ku ende po punojnë mbi 50 forca të FA për të kryer krehjen e zonës. “Nuk paraqitet rrezik për banesat dhe po vijon puna për mbajtjen nën kontroll të vatrës në Qafë- Murrë, Njësia Administrative Selishtë, Dibër. Zjarri ka kaluar në një terren shkëmbor dhe me bimësi të pakët”, sqaron Ministria e Mbrojtjes.

DY HELIKOPTERË NGA JASHTË PËR SHUARJEN E FLAKËVE

Ndërsa më shumë se 200 forca ushtarake nga radhët e Forcave të Armatosura po punojnë me kazma dhe lopata për shuarjen e zjarreve në terren krahas atyre zjarrfikëse, në operacione janë angazhuar vetëm dy helikopterë, të cilët kanë ardhur nga jashtë vendit. Një prej helikopterëve që bën të mundur shuarjen e flakëve nga ajri është nga Holanda, ndërsa tjetri ka ardhur nga Republika Çeke.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Situatë problematike në Veri”

Ministri i Mbrojtjes tregon vatrat aktive të zjarrit


Revista amerikane rendit Rivierën Shqiptare si një nga destinacionet më të mira

“Mos shkoni në Santorini, por në Ksmail”

“Mos parkoni automjetet në zonat me risk të lartë”

Bashkia Vlorë paralajmëron qytetarët për përkeqësim të motit

“Thika luftarake, dokumente të falsifikuara dhe kanabis”

Detajet/ Goditet grupi kriminal që shpërndante dr*gë