MENU
klinika

Robert Elsie

Faik bej Konica!

24.09.2021 - 12:43

         Shkrimtari dhe publicisti shqiptar më me ndikim në fillim të shekullit ishte Faik bej Konica (1875-1942).

Ai lindi në prill të vitit 1875 në qytetin e vogël të Konicës në malet e Pindit, jo larg nga kufiri i sotëm shqiptar. Pasi bëri shkollën fillore në gjuhën turke në fshatin e lindjes, studioi në Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës, ndonëse rridhte nga një familje myslimane. Atje jo vetëm u shkollua në gjuhën shqipe, por pati edhe kontaktin e parë me kulturën e Evropës qendrore e me idetë Perëndimore. Prej andej, shkoi në Konstantinopojë, ku vazhdoi studimet në gjuhën frënge në shkollën e mesme perandorake Gallata.

Më 1890, në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, e dërguan për studime në Francë, ku qëndroi shtatë vitet në vijim. Pasi ndoqi fillimisht shkollën e mesme në Lisjë (Lisieux, 1890) dhe në Karkason (Carcassonne, 1892), u regjistrua në Universitetin e Dizhonit, nga i cili u diplomua më 1895 për filologji romane. Pas diplomimit shkoi për dy vjet në Paris, ku studioi frëngjishten mesjetare, latinishten dhe greqishten në Collège de France. Studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit në Shtetet e Bashkuara, megjithatë, për këtë periudhë të jetës së tij nuk dihet shumë. Si rezultat i këtij shkollimi kaq të larmishëm, ai fliste dhe shkruante shqipen, italishten, frëngjishten, gjermanishten, anglishten dhe turqishten. Qëndrimi në Francë, vend me tradita të kahershme liberale demokratike, pati një ndikim të fuqishëm mbi Konicën, i cili i mësoi dhe i bëri të vetat modelet e mendimit Perëndimor si asnjë intelektual tjetër shqiptar para tij. Tek i riu Konica la gjurmë të thella sidomos liria e shpenguar që gëzonte shtypi francez në vitet e debatit të hapur që u ndez nga skandali Dreifys. Pikërisht gjatë kësaj periudhe tek ai filloi të zgjohej interesi për gjuhën amtare, për historinë e kulturën e vendit të tij, dhe nisi të shkruante artikuj për Shqipërinë në një gazetë franceze. Më 1897 shkoi në Bruksel, ku në moshën njëzetedyvjeçare, më 25 mars 1897 themeloi revistën “Albania”, e cila shumë shpejt do të bëhej organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë. Më 1902 u shpërngul në Londër dhe vazhdoi ta botonte revistën atje deri më 1909. Në Londër krijoi miqësi me poetin dhe kritikun francez Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire, 1880-1918), i cili qëndroi në shtëpinë e tij në vitet 1903 dhe 1904.

Në vjeshtën e vitit 1909 Faik Konica mërgoi në Shtetet e Bashkuara.

Në fillim qëndroi në Boston, ku u bë kryeredaktor i gazetës “Dielli”, që ishte themeluar atë vit nga Fan Noli. “Dielli”ishte organi i Federatës së rëndësishme Panshqiptare Vatra të Bostonit. Më 1912 Konica u bë sekretar i përgjithshëm i saj. Ai botoi gjithashtu edhe një periodik tjetër jetëshkurtër, të përdyjavshmen “Trumbeta e Krujës” në Seint Luis, Misuri, që doli vetëm në tre numra më 1911. Më 1912 shkoi në Londër si përfaqësues i Federatës Vatra për të mbrojtur interesat e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve. Kjo konferencë, që u mbajt në vjeshtën e atij viti, do të merrte në shqyrtim çështjen e njohjes së shtetit shqiptar të sapokrijuar, që kishte shpallur pavarësinë nga Perandoria Otomane më 28 nëntor. Më 29 korrik 1913 ambasadorët pranuan të njohin mëvetësinë e Shqipërisë, ndonëse fillimisht do të vazhdonte nën suzerenitetin e Sulltanit. Në fillim të marsit 1913, Konica, i cili ishte grindur me Ismail Qemal bej Vlorën (1844-1919) dhe i kishte dhënë fillimisht mbështetjen e vet qeverisë së Esad Pashë Toptanit (1863-1920), foli para treqind delegatëve në Kongresin Shqiptar të Triestes, që ishin mbledhur për të diskutuar për fatin e vendit gjatë anarkisë politike që precipitoi si rezultat i Luftërave Ballkanike.

Konica pësoi zhgënjim nga politikat e Austro-Hungarisë, të cilat më parë i kishte përkrahur, kur iu bë e qartë se Vjenës i interesonte vetëm përcaktimi i kufirit verior të Shqipërisë dhe se qyteti i tij i lindjes Konica, do t’i falej Greqisë. Në fillimin e luftës së parë botërore, Faik Konica jetonte në Austri (Vjenë, Feldkirch dhe Baden). Në gjendjen e tensionuar politike që ishte krijuar, atje u hap fjala se ai ishte spiun i Italisë, kështu që u detyrua të largohej nga Perandoria e rrënuar austro-hungareze dhe të shkonte në Zvicrën asnjanëse. Në Lozanë u takua me Mehdi bej Frashëri (1874-1963) dhe Mid’hat bej Frashërin (1880‑1949) dhe më 2 nëntor 1915 botoi atje një traktat me titull “L’Allemagne et l’Albanie” (Gjermania dhe Shqipëria), ku sulmonte Gjermaninë për mbështetjen që i bëri propozimit për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet grekëve dhe sllavëve. Në mars të vitit 1916 e gjejmë në Sofje me Dervish Himën (1873-1928), kurse në korrik të atij viti përsëri në Baden (Austri). Thuhet se më pas u detyrua të largohet përsëri nga Austria, këtë radhë për në Itali, për shkak se kishte kritikuar politikat austriake dhe gjermane në Shqipëri dhe për këtë trajtohej si njeri i dyshimtë nga autoritetet austriake. Më 1921, përsëri në Shtetet e Bashkuara, u zgjodh kryetar i Federatës Vatra të Bostonit dhe u bë përsëri kryeredaktor i gazetës “Dielli”, ku tani kishte një rubrikë të vetën, ‘Shtylla e Konicës’. Në verën e vitit 1926, diktatori Ahmet Zogu (1895-1961) e emëroi Faik Konicën ambasador të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, post që e mbajti deri në pushtimin e vendit nga Italia, në Pashkët e vitit 1939. Vdiq në Uashington më 15 dhjetor 1942 dhe u varros në varrezat Forest Hills në Boston. Eshtrat e tij u riatdhesuan në Tiranë, pas rënies së diktaturës komuniste.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kartolina me pamje të rralla

Elsie: Veshjet që po zhduk globalizimi

Lahuta e 15,613 vargjeve epike

Fishta këndohet në Europë