MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Grusht çeliku rreth Berishës, por më e vogël elektoralisht PD-ja…

10.09.2021 - 17:31

Kur shumë shqiptarë po digjeshin nga dielli i gushtit, kompania e mirënjohur greke e sondazheve MRB kishte shpërndarë anketueset e saj lokale në gjithë Shqipërinë, për të intervistuar banorë të rritur të vendit, në kuadër të një sondazhi të porositur nga televizioni Euronews Albania. Sondazhi u krye në nivel kombëtar në bazë të 1 mijë intervistave (49.5% meshkuj, 50.5% femra të moshës mbi 18 vjeç) nga data 10 deri më 28 gusht.

Sondazhi MRB u publikua vetëm mbrëmë në Euronews Albania dhe tregoi se 71.2% e votuesve të PD-së nuk e mbështesnin përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i demokratëve. Gjë që tregon se era elektorale demokrate frynte kundër velave të varkës së kapitenit Basha, qysh përpara se ai ta merrte vendimin për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Gjë që tregon më tej akoma, se me daljen hapur kundër Bashës të Berishës dhe njerëzve rreth tij, varka politike e Bashës mund të përmbytet, dhe në krye të PD-së mund të rikthehet përsëri kapiteni i vjetër Berisha.

Por sa e fortë do të ishte një PD e udhëhequr përsëri nga kapiteni që e ka drejtuar atë mes shumë uraganesh gjëmëmëdha? Për të krijuar një ide për përgjigjen e kësaj pyetje, vlen t’i referohemi përsëri të njëjtit sondazh të MRB-së.

Të pyetur se sa dakord janë me thënien “PD duhet ta mbështesë Sali Berishën”, 58% e votuesve të PD-së u përgjigjën po, 28.4% jo dhe 10% ishin në mëdyshje “as po as jo”. Kështu rezultoi në sondazhin MRB. Gjë që tregon se pothuaj 60% e votuesve të PD-së e mbështesin Berishën, edhe sikur SHBA-ja ta shpallë çdo ditë persona non grata.

Sidoqoftë, nga ana tjetër, sondazhi MRB tregoi se pothuaj 30% e votuesve të PD-së nuk janë dakord që partia ta mbështesë Berishën në betejën e tij publike me SHBA-në. Gjë që do të thotë se një PD me Berishën e rikthyer në krye mund të jetë një parti e mbledhur grusht çeliku rreth kryetarit, por një parti ndjeshëm më e vogël elektoralisht se më 25 prill, që edhe atëherë s’ishte fort e madhe…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Do përplaset me SHBA, Kim mesazh të fortë ditën e parë të parlamentit"

Analisti Zaloshnja: Basha mes dy zjarreve, demokratët e duan Berishën, s’ka forcë ta përjashtojë!