Sot do të zhvillohen homazhet për efektivin e policisë Saimir Hoxha, i cili një ditë më parë u vra nga 21-vjecari Aldi Rama në krye të detyrës. Ky i fundit ndërroi jetë pasi u vetëplagos gjatë aksionit të RENEA-s për arrestim.
Policia e Shtetit njofton se homazhet do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve, nga ora 12:00 deri në orën 15:00.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi dje se kanë nisur procedurat për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të oficerit Hoxha.
“Komisioni Qendror i Statusit ‘Dëshmor i Atdheut’ ka nisur procedurat për shpalljen e oficerit Saimir Hoxha, ‘Dëshmor i Atdheut’ duke i garantuar familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm”, deklaroi ministri i Brendshëm.
Nënkomisar Saimir Hoxha ishte pjesë e grupit të kontrollit të territorit, për evidentimin dhe asgjësimin e lëndëve narkotike.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon hetimet intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e gjithë detajeve të kësaj ngjarje të rëndë, që ka prekur dhe shokuar mbarë opinionin publik.