MENU
klinika

“Flas shpesh me të”

Cana: Tare, më i miri në rolin e tij

18.10.2021 - 13:35

Kjo javë sjell në Europa League sfidën Lazio-Marseille. Për Lorik Canën është sikur të ndash zemrën në dysh. Marseille është shtëpia e dytë për ish-kapitenin e Kombëtares, por edhe Lazio mbetet dashuri. Në Romë ai krijoi një familje pa harruar të kaluarën e tij.

Në një intervistë të gjatë për ‘’Radiosei’’, Cana ka komentuar ndeshjen mes dy ish-skuadrave të tij që do të luhet të enjten. Legjenda e futbollit shqiptar ka folur edhe Igli Taren, mikun e tij te Lazio.

Lazio-Marseille – “Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi grupi nuk është i njëjtë. Isha në Marseille javën e kaluar për një ndeshje bamirësie, u kënaqa që pashë 30 mijë tifozë për një ndeshje bamirësie. Është një qytet i nxehtë që jeton me futbollin, unë jam rritur me atë ekip, kam qenë tifoz që kur isha 7 vjeç.

Që kur u emërua Pablo Longoria president ekipi ka ide shumë të qarta, ata kanë një trajner si Sampaoli me të cilin shpenzojnë shumë energji. Ata lënë shumë hapësira, por kanë shumë cilësi në skuadër’’.

Ndeshja në Europa League – ‘’Marseille është një ekip që jep pak pika referimi, ata përpiqen të mbrohen dhe të sulmojnë me 7 lojtarë. Ky ekip mund të dëmtojë edhe në kundërsulm me një lojtar të vetëm.

Lazio, nga ana tjetër, është shumë më e ekuilibruar, me Sarrin ka një lojë me shumë opsione. Kurrë nuk e humbasin ekuilibrin e ekipit. Unë e respektoj shumë Sarrin, nuk e njihja para se të mbërrija në Itali’’.

Miqësia me Taren – ‘’E para, Tare është shoku im, flas me të çdo javë. Ne rrallë flasim për punën, padyshim që flasim për futbollin, por mendoj se ai është më i përgatituri në rolin e tij si drejtor sportiv.

Ai ka qenë në “Top 3” drejtuesit më të mirë sportiv gjatë 10 viteve të fundit. Ka arritur të bëjë disa gjëra fantastike me Lazion. Kur ka nevojë për informacion për ndonjë lojtar, unë e ndihmoj’’, – u shpreh Lorik Cana.