Aktori i njohur britanik, Daniel Craig, ka thënë se portretizimi i rolit të agjentit të famshëm James Bond e ka bërë “të ketë besim më të madh” te të tjerët.
Aktori 53-vjeçar e ka luajtur rolin e 007-shit për herën e pestë dhe të fundit në filmin e ri “No Time To Die” dhe ka pranuar se portretizimi i agjentit ikonik për 15 vjet radhazi e ka ndryshuar shumë si person.
Craig ka thënë për revistën “SiriusXM” se ka reflektuar shumë për këtë gjë kohëve të fundit.
“Vërtet mund ta vëresh se sa shumë më ka ndryshuar. Një person duhet të ndryshojë. Dikur kam pasur vështirësi shumë me autoritetin”, ka thënë ai.
“Tani jam person që gjithmonë shikoj se çfarë ka qosheve. Nuk jam i sigurt, jam tepër dyshues, por tani nuk jam edhe aq shumë. Kam kaluar nëpër tërë këtë proces. Jam shumë më i hapur. Për çudi, ju besoj njerëzve shumë më shumë”.
Ylli i filmit gjithashtu ka rikujtuar se sa vlerë ka pasur për të këshilla e regjisorit Mike Nichols, me të cilin kishte punuar në “Betrayal”.
“Ai më tha: ‘Daniel, mos puno me budallenj’. Dhe unë e pranova se kishte të drejtë. Sa më shumë që vitet po kalojnë po e kuptoj se ka pasur shumë të drejtë. Mos puno me budallenj. Nëse keni mundësi dhe mund t’iu shmangeni budallenjve, atëherë do të mund ta shfaqni më të mirën para të tjerëve e edhe të tjerët do të mund t’ju përgjigjen njësoj”, ka theksuar ai.
Filmi i fundit që e sjell aktorin Craig në rolin e agjentit i ka arkëtuar gjithsej 56 milionë dollarë në javën e parë të shfaqjes nëpër kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.
Pas 18 muajsh vonese në lançim, si pasojë e pandemisë, “No Time to Die” ka debutuar në arkat filmike të Amerikës Veriore.
Dhe projekti në të cilin aktori britanik e portretizon për herë të fundit agjentin 007 arriti që t’i fitojë gjithsej 56 milionë dollarë nga shitja e biletave brenda një jave të vetme.
Kështu, “No Time To Die” me lehtësi ka arritur që të pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike.