MENU
klinika

Komentatori kujton përqafimin me Kostën

Homazhet për Grillon, Shakohoxha i lë mikrofonin e finales Euro 2020

07.10.2021 - 14:12

Ndarja e parakohshme nga jeta e komentatorit Kosta Grillo, ka pikëlluar mbarë opinionin sportiv. Të shumtë ishin miqtë dhe kolegët e Kostës, që ndanë momentet speciale që kishin përjetuar ndër vite me komentatorin e ndjerë.

Një ndër ta është edhe Dritan Shakohoxha, i cili teksa i dha lamtumirën e fundit mikut të tij, në homazhet e kryera në stadiumin “Selman Stërmasi”, nuk i kurseu lotët, teksa tregoi se si i kishim komentuar të përqafuar 2 minutat e fundit të ndeshjes Armeni-Shqipëri, ku kuqezinjtë vulosën kualifikimin historik në “Euro 2016”.

“Ishim të gjithë duke pritur me shpresë të Zotit që Kosta mund të kishte kthyer. Ai gjithmonë zhdukej, por rikthehej prap, në përgjithësi në jetën e vetë. Sa herë që ka ndodhur ndonjë gjë, ka pasur gjithmonë ikje dhe rikthehej prap.  

Sot kam ardhur këtu me këtë mikrofonin që është i ndeshjes së fundit që kam komentuar unë në Londër në finalen e Euro 2020. Këtë mikrofon e kisha marrë dhe doja ta ruaja për gjithë jetën time, pjesën më të madhe të karrierës sime e kam kaluar me Kostën.

Këtë mikrofon e solla për t’ia dhënë mikut tim me vete që për fat të keq edhe ai nuk do të komentojë më, por të paktën ta ketë këtë me vete. Nga Kosta vetëm një gjë mund të kujtoj dhe është i vetmi kujtim që më vjen është në Jerevan.

Në minutat e fundit ndaj Armenisë ku pritej vetëm vërshëllima e gjyqtarit dhe momenti që nuk do e harroj kurrë është që dy minutat e fundit, Kosta komentonte për TVSH, unë për DigitAlb, i kemi komentuar të përqafuar bashkë, është e vetmja gjë që mund të kujtoj.

Më vjen keq që duhet të kujtoj kështu gjërash tani pasi doja t’i kujtoja me humor e shaka me Kostën pasi ai nuk dinte mënyrë tjetër komunikimi përveç se me shaka.

E jetuam së bashku këtë profesion dhe më vjen keq që jam sot këtu për t’i dhuruar këtë mikrofon për këtë arsye pasi doja t’ia dhuroja për diçka tjetër. Kosta është unikal dhe askush nuk do të bëhet si Kosta asnjëherë”, – u shpreh Shakohoxha.