MENU
klinika

Shpikja

Inteligjenca artificiale tashmë do të parashikojë motin?!

06.10.2021 - 07:22

Inteligjenca Artificiale po vazhdon që të sfidojë njerëzimin. Kompania “AI DeepMind” me qendër në Londër po vazhdon punën e saj duke aplikuar mësime në problemet e vështira të shkencës. Duke punuar me “Met Office”, shërbimin kombëtar meteorologjik në Mbretërinë e Bashkuar, “DeepMind” ka zhvilluar një mjet të quajtur DGMR që mund të parashikojë me saktësi mundësinë e shiut në 90 minutat e ardhshme, një nga sfidat më të vështira të parashikimit të motit.

Në një krahasim me mjetet ekzistuese, disa ekspertë gjykuan se parashikimet e DGMR ishin më të mirat në një sërë faktorësh, përfshirë parashikimet e saj për vendndodhjen, shtrirjen, lëvizjen dhe intensitetin e shiut, me rreth 89% të kohës. Parashikimi i shiut, veçanërisht rreshjet e rënda, është vendimtar për shumë industri, nga ngjarjet në natyrë deri tek aviacioni tek shërbimet e urgjencës. Por ta bësh këtë mirë, është e vështirë. Të kuptosh se kur dhe ku do të bjerë shiu, varet nga një numër procesesh të motit, të tilla si ndryshimet në temperaturë, formimin e reve dhe erës. Të gjithë këto faktorë janë mjaft kompleksë në vetvete, por ato janë edhe më kompleksë kur merren së bashku.

Teknikat më të mira ekzistuese të parashikimit përdorin simulime masive kompjuterike të fizikës atmosferike. Këto funksionojnë mirë për parashikimin afatgjatë, por janë më pak të mirë në parashikimin e asaj që do të ndodhë në orën e ardhshme ose më shumë. Metodat tradicionale përdorin ekuacione komplekse dhe shpesh parashikohen vetëm për gjashtë orë deri në dy javë.

Por tashmë, sistemi i inteligjencës artificiale do të mund të bëjë parashikime më të sakta afatshkurtra, përfshirë stuhitë dhe përmbytjet kritike. Një gjë e tillë vjen në kohën kur ndryshimi i klimës po e bën më të vështirë parashikimin e kushteve të pafavorshme të motit, meqë frekuenca dhe ashpërsia e rrjeshjeve të mëdha të shiut rritet, gjë që studiuesit besojnë se do të çojë në dëme të konsiderueshme materiale apo edhe vdekje. Kreu i inovacionit të produkteve, Niall Robinson, është shprehur se:

Moti ekstrem ka pasoja katastrofike, përfshirë humbjen e jetëve dhe siç sugjerojnë efektet e ndryshimit të klimës, këto lloj ngjarjesh do të bëhen më të zakonshme. Si e tillë, parashikimet më të mira afatshkurtra të motit mund t’i ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë të sigurt.