Si premiera e radhës në Teatrin Metropol, vjen ”Oh, ato ditë të bukura”.
Vepra e autorit Samuel Beckett, vjen premierë me regji nga Arben Kumbaro. Cilësuar si një nga më të njohurat vepra të teatrit modern botëror, do të interpretohet nga “Mjeshtre e madhe e skenës”, aktorja Yllka Mujo, shoqëruar dhe nga interpretimi i aktorit të mirënjohur, Sokol Angjeli.
Teatri Metropol shprehet rreth veprës, se duke qenë tanimë me mundësi krejtësisht të limituara fizike, kërkesat që ka ky projekt e bëjnë krejtësisht të mundur realizimin e tij.
“Vepra ka vlera të jashtëzakonshme aktuale dhe është një ulërimë dhe reflektim mbi kuptimin e jetës njerëzore”, thuhet për shfaqjen.
Në materialin e shfaqjes nga teatri, regjisori Arben Kumbaro shprehet për rikthim të shpresës. “Një përpjekje në rikthim të shpresës në shoqërinë tonë”, thotë regjisori i njohur Arben Kumbaro. Premiera do të jetë më 8 tetor e në vijim, gjatë gjithë muajit, në skenën e Teatrit Metropol.
“Oh ato ditë të bukura” e Beckettit është një pjesë me dy akte. Ajo ka marrë vlerësimin e mbarë kritikës botërore dhe vetë autori është fitues i çmimit “Nobel”.
Disa prej tyre e kanë cilësuar si një ndër pjesët më të mira, në të gjitha kohërat, e teatrit absurd dhe është vënë në skenë në shumë teatro në botë. Vepra është kryesisht një monodramë, ku personazhi kryesor, Vini, shpesh krahasohet me rëndësinë që ka Hamleti në teatër.
Regjia nga Arben Kumbaro, as. regjia Klesta Shero, formulimi muzikor nga Endri Sina, skenografia nga Adrian Kapo, efekte speciale nga Andi Kongo dhe grimi nga Marinela Halilaj. Vepra është në skenë në datat 8, 9, 10, 15, 16, 17, 22, 23, 24, 29, 30, 31 tetor. Kjo premierë teatrore vjen në skenë në vijim të sezonit artistik të Metropol.
Beckett dhe teatrit absurd
Samuel Beckett është një nga shkrimtarët modernë të shekullit të XX, njëherësh themelues i teatrit absurd. Beckett (lindi më 13 prill 1906- u nda nga jeta më 22 dhjetor 1989) ishte një shkrimtar avangrardist irlandez, dramaturg, skenarist, drejtor teatri, poet, i cili pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Paris.
Ai ka shkruar në të dyja gjuhët; frëngjisht dhe anglisht.
Beckett është ndër shkrimtarët më me ndikim të shekullit të XX. Vepra e tij na sjell një këndvështrim tragji-komik të ekzistencës njerëzore, shpesh herë të shoqëruar me një komedi të zezë dhe humor vrasës, dhe në fundin e karrierës së tij si shkrimtar, bëhet në mënyrë rritëse minimalist. Ai konsiderohet një nga shkrimtarët e fundit modernë dhe figura kyçe e asaj që Martin Esslin, e quajti ”teatri absurd”. Samuel Beckett ka shkruar shumë drama, romane, tregime dhe libra me poezi. Në gjuhë shqipe janë përkthyer të paktën, 6 libra të tij.