MENU
klinika

Filantropi i mohuar

Bujaria ende me gjurmë të gjalla

19.11.2021 - 11:38

           Korçës së tij, i dhuroi bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren. Thoma Turtulli ndërroi jetë më 19 nëntor 1937, nga bronkopneumonia, duke i lënë një pasuri të madhe qytetit.

Ishte ai që përgatiti pajën e shumë familjeve të varfra korçare dhe fitoi dashurinë e shumë njerëzve të thjeshtë.

Familja Turtulli ishte një prej familjeve më të njohura tregtare të kohës. Thoma Turtulli dhe kompania e tij zhvillonte tregti me Durrësin, Shkodrën, Tiranën, por edhe me Selanikun, Manastirin e Stambollin.

Shumë shpejt ai iu përkushtua punëve të mëdha filantropike, për ta bërë Korçën, shembull të një qyteti evropian.

Kështu në qytetin e Korçës më 25 dhjetor 1927, çeli dyert kinemaja “Majestic”. Kjo kinema e bukur u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar prej Thoma Turtullit.

Ai i dhuroi qytetit arsimdashës të Korçës, bibliotekën, duke parë etjen e madhe për dije të korçarëve. Në qytetin tonë e rreth tij, ekzistonin shumë libra nga bibliotekat e dikurshme të Voskopojës, Vithkuqit e vetë Korçës, si dhe të sjella dhe nga shoqëria “Vatra” e SHBA-së.

Biblioteka e re e Korçës, përuar më 1930, numëronte rreth 30.000 tituj.

Korçës së kulturës biri dhe filantropi i madh, Thoma Turtulli i dhuroi liceun, si vatër dijesh brenda e jashtë Shqipërisë. Kurse spitali i qytetit u çel më 1934-ën.

Pas përfundimit të tij, bashkëshortja e Thoma Turtullit, Athinaja, i dhuroi shtetit 40.000 franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.

Mbreti Zog e dekoroi zonjën Athina Turtulli me “Urdhrin e Skënderbeut”. Thuhet se Thoma Turtulli ndiqte vetë punimet për ndërtimin e spitalit dhe atje u sëmur nga bronkopneumonia.

Me gjithë përpjekjet e mbretit Zog, i cili, solli enkas nga Selaniku mjekët më të mirë, ai nuk shpëtoi dot. Veprat e këtij bamirësi të madh edhe sot shkëlqejnë në Korçë, me frymën evropiane që solli Thoma Turtulli dhe të tjerë filantropë me emër.

Sistemi komunist u soll egërsisht me familjen Turtulli. Kur varrezat e Korçës u zhvendosën nga kisha e Shën Mërisë, u prish në mënyrë barbare varri monumental i kësaj familje të shquar, ndërsa eshtrat e filantropit të madh nuk dihet ku përfunduan.

Thoma Turtulli ishte me origjinë nga Vithkuqi, dikur një qytet i madh me shumë lagje, kisha dhe shkolla, që rivalizonte për nga përparimi vetë Voskopojën. Por njësoj, si Voskopoja dhe Vithkuqi u dogjën dhe u grabitën tri herë. Zjarrvënësit ishin po të njëjtët. Më pas, familja Turtulli u zhvendos në Korçë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vendi ku shërohet shpirti

10 arsye për të vizituar një muze!

Ambasador i paqes në ShBA: Kodra

“Shqipëria nji vend i bukur sa s’ka ma”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit