MENU
klinika

Kuqezinjtë në Evropë

Dopietë e Vrionit, Bajrami dhe Gjimshiti me asist

27.11.2021 - 20:07

Shkëlqejnë edhe njëherë tjetër legjionarët kuqezinj me ekipet e tyre në Evropë. Giacomo Vrioni po kalon padyshim edicionin më të suksesshëm të karrierës së tij.

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare po shënon me rregullsi ndeshje pas ndeshje dhe është kthyer në liderin e Tirolit, dukke e larguar këtë skuadër nga fundi i tabelës së klasifikimit në Austri.

Sot, në ndeshjen kundër Altach, ai u bë protagonist i sfidës që në minutat e parë të saj. Vrioni depërtoi në zonën e rreptësisë së kundërshtarëve dhe fitoi penallti pas një kontakti në zonë.

Sulmuesi shqiptar u paraqit vetë nga pika e bardhë, duke ekzekutuar me qetësi në minutën e 11 e çuar ekipin e tij në avantazh me një goditje “alla Jorginho”, me kërcimin tipik të italianit që është bërë i famshëm në të gjithë botën.

Në fundin e sfidës, sulmuesi shqiptar tregoi se është një nuhatës i mirë i situatave të rrezikshme, teksa shënoi edhe golin e rezultatit 3-0 për ekipin e tij. Ai përfitoi nga një mosmarrëveshje mes mbrojtësit dhe portierit kundërshtar duke i vjedhur topin dhe duke shkuar i qetë i vetëm drejt portës.

Sulmuesi shqiptar shkoi në kuotën e 9 golave në kampionat, në vetëm 11 ndeshje të luajtura dhe është plotësisht në garë për golashënuesin më të mirë të kampionatit, pasi ndodhet në vendin e dytë, 2 gola më pak se shënuesi më I mirë.

Kuqezinjtë nuk u ndalën këtu, Nedim Bajrami dha asistin e golit të fitores 2-1 në 89’ të Empolit ndaj Fiorentinës, teksa ishte futur në lojë në mesin e pjesës së dytë në vend të Cutrones. Një paraqitje shumë e mirë e mesfushorit të Kombëtares.

Nuk përfundon këtu shkëlqimi i kuqezinjve, pasi Berat Gjimshiti ishte asistuesi i golit të parë të Atalantës në Torino ndaj Juventus, ku Zapata u tregua i saktë dhe bergamaskët po fitojnë 0-1 në transfertë.