Organizata Botërore e Shëndetësisë miratoi vaksinën e një prodhuesi indian për përdorim urgjent kundër koronavirusit.
OBSH-ja tha se përfitimet e përdorimit të vaksinës Covaxin “i tejkalojnë rreziqet” dhe se ajo është “jashtëzakonisht e përshtatshme për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, për shkak të kërkesave të lehta për ruajtje”.
Covaxin prodhohet nga kompania Bharat Biotech dhe efektiviteti i saj është rreth 78 për qind.
Gjashtë vaksinat e tjera kundër koronavirusit, të miratuara nga OBSH-ja, janë: AstraZeneca, Pfizer/BioNTech, Johnson & Johnson, Moderna, Sinopharm dhe Sinovac.
Miratimi nga OBSH-ja hap rrugën që vendet pa rregullatorë mjekësorë, t’i ndjekin udhëzimet e kësaj organizate për përdorimin e vaksinave.
Rregullatori i barnave në Indi e ka autorizuar përdorimin e Covaxin-it qysh në janar. Deri në mes të tetorit, në Indi janë dhënë mbi 110 milionë doza të kësaj vaksine./ Marrë nga REL