MENU
klinika

Kreu i shtetit dhe kryeministri shmangin sërish njëri-tjetrin

Meta, Rama dhe Nikolla homazhe për ditën e Çlirimit te Varrezat e Dëshmorëve

29.11.2021 - 11:44

Kreu i Shtetit Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama kanë zhvilluar homazhe në përkujtim të ditës së Çlirimit.

Ata kanë vendosur kurora me lule në memorialin Nënë Shqipëri te varrezat e Dëshmorëve në nder të të rënëve për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashist.

Ajo që u vë re gjatë ceremonisë ishte shmangia që kreu i shtetit, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama i bën njëri-tjetrin. Në ceremoni nuk pati qoftë dhe një shtrëngim duarsh mes tyre, por vetëm vendosje të kurorave me lule në memorialin “Nënë Shqipëri”.

Një situatë e ngjashme me atë që u pa dhe ditën e djeshme në festën e Pavarësisë në Vlorë, ku edhe pse ishin të pranishëm së bashku në ceremoni, Rama dhe Meta vendosën sërish ta shmangnin njëri-tjetrin.

Pas përfundimit të homazheve ditën e sotme ishte kreu i shtetit ai i cili u largua i pari, ndërkohë që më pas u larguan dhe Rama dhe Nikolla.