Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka postuar në faqen e vet në Instagram një letër të shkruar nga Erjola, një 16-vjeçare nga Kurbini. Në letrën e shkruar me shkrim dore, vajza e falenderon Von der Leyen për rindërtimin e shkollës së saj të shkatërruar nga tërmeti i 26 Nëntorit.
“Kjo letër më preku. Nuk është vetëm një rrëfim thellësisht personal i përvojës së saj. Është gjithashtu një kujtesë e fuqishme e të mirave që mund të arrijmë si evropianë kur punojmë së bashku. Në këtë rast BE-ja dhe Shqipëria”, shkruan Von der Leyen.
Zyrtarja e lartë e BE risjell në vëmendje angazhimin maksimal të BE 2 vjet më parë, kur Shqipëria u godit nga tërmeti 6,4 i shkallës Rihter që la pas viktima dhe shkatërrim.
“I gjithë Bashkimi Evropian u mobilizua me shpejtësi për një vend që është në zemër të kontinentit tonë dhe që shpresoj dhe jam i bindur se një ditë do të jetë gjithashtu pjesë e Bashkimit tonë. Të njëjtën shpresë shpreh edhe Erjola në letrën e saj. ‘Sot unë, miqtë e mi ndihemi europianë të vërtetë’, shkruan ajo”, lexohet në postimin e Von der Leyen.