“Nëse do të tentoja që të jepja një përkufizim të saktë të asaj që më nxit, e mënyrës sime të të jetuarit dhe të menduarit, mendoj se është pikërisht kjo, që t’i hapësh veshin dhe zemrën diçkaje që thuajse është harruar dhe që nuk do të doje që të harrohej”.
Një prej mjeshtërve të mëdhenj të historisë së filmit ose më mirë të themi: filmi vetë, ishte edhe piktor. Federico Fellini, në ekspozitën në Essen, shfaqet përmes fotografive që dëshmojnë faktin se, idetë për realizimet e tij madhështore artistike në kinematografi, i hidhte më parë në letër, si vizatime.
Me filmat, si: “La Dolce Vita”, “La Strada” dhe “Amarcord” regjisori italian Federico Fellini (1920-1993), u bë i pavdekshëm.
Falë fuqisë, dëshirës për jetën, si dhe imagjinatës që rrezatojnë, filmat e fituesit të shumëfishtë të çmimit ”Oscar” janë të magjishëm. Por, pak adhurues të kinemasë e dinë se, Fellini, nuk ka qenë vetëm regjisor shumë i talentuar, por ka shkruar edhe skenarë për regjisorë të tjerë, po ashtu edhe libra.
Nga filmi “La Strada” (1954) me Giulietta Masina dhe Anthony Quinn
Por, vështirë ta dijë ndokush se, Fellini, vizatonte jashtëzakonisht bukur.
Për Fellinin, vizatimet ishin një mjet i pazëvendësueshëm në rrugën, nga ideja në realizimin e filmit. Qoftë si skica, apo si vendngjarje me shumë detaje dekorative, vizatimet e Fellinit janë shprehja e fantazive të tij, që e ndihmuan t’i kalonte ato në personazhe, kostume dhe skena dhe në fund, t’i realizonte.
Skenë nga filmi ”Satyricon”
Në rini, Fellini hapi një studio të vogël portretesh, për pushuesit në plazhin e Riminit, në 1936. Në fund të viteve tridhjetë, ai publikoi karikatura dhe tregime të shkurtra në gazeta dhe revista. Nga fundi i Luftës II, menjëherë pasi amerikanët morën Romën, Fellini me miqtë e tij hapi një dyqan, ku ushtarët amerikanë mund të dëgjonin muzikë dhe pozonin për portrete.
Në profesionin e tij të mëvonshëm si kineast, Fellini përfiton nga përvoja shumëvjeçare me laps e letër. Me skica dhe vizatime, ai vizualizon idetë e tij. „Ashtu siç përbën skenari fazën verbale para prodhimit të filmit, shpesh ndodh, që unë gjatë kohës së përgatitjes të vizatoj bocete dhe figura, sepse dua ta fiksoj një skenë, një rol, kostumin e një personazhi të caktuar, apo gjendjen e tij shpirtërore dhe ta qartësoj nga ana vizuale.
Skica nga ekspozita, Folkwang Museum Essen
Tani për herë të parë prej tri dekadash punimet e Fellinit në letër mund të vizitohen në një ekspozitë të madhe. Punimet e shfaqura në ekspozitën në Muzeun Folkwang në Essen përfshijnë punën e Fellinit nga fillimi i viteve 1950 deri në fillim të viteve 1980. Fokusi i ekspozitës me titull “Federico Fellini. Nga vizatimi në film” është vendosur në vizatimet e tij për filmat “Amarcord”, “Casanova”, “Qyteti i grave” dhe “Anija e ëndrrave të Fellinit”.
Anita Eckberg dhe Marcello Mastroianni, skenë nga filmi “La Dolce Vita”
Rreth 200 vizatime të regjisorit mund të shihen dhe të krahasohen me skenat e realizuara filmike, me fragmente skenari dhe regjistrime. Kjo e bën të qartë procesin krijues të Fellinit, nga ideja e parë deri te puna e përfunduar.
Ekspozita “Federico Fellini. Nga vizatimi në film” mund të vizitohet nga data 12 nëntor 2021 deri më 20 shkurt 2022 në Muzeun Folkwang në Essen. Ajo realizohet në bashkëpunim me Kunsthaus Zürich dhe financohet nga ”Istituto Italiano di Cultura Colonia” në Këln.