Pas gati dy vitesh nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, Shtetet e Bashkuara po përballen me një krizë në shëndetësi. Shumë nga katër milionë infermierët e vendit po largohen nga ky profesion, duke rrezikuar pacientët. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti hedh një vështrim mbi të ardhmen e industrisë së kujdesit shëndetësor.
Infermierja me përvojë në dhomën e urgjencës, “Clara” e cila nuk përdori emrin e saj për intervistën, frikësohet se nëse flet hapur rreth profesionit të saj mund ta humbasë vendin e punës.
Pas shumë muajsh në pandemi, Clara thotë se spitalet po përballen me mungesë personeli ndërsa pacientët, që në rrethana tjera mund të shpëtoheshin, po vdesin në dhomat e urgjencës – duke përfshirë dhe një nga pacientët e saj.
“Në fund, kur dikush shkoi të kujdesej për të, ajo ishte në një gjendje të rënduar, që nuk mund ta trajtonim. Më vonë ajo vdiq. Është e vështirë ta bartësh këtë dhimbje”, thotë infermierja në kushte anonimiteti.
Familjarët dërgohen në parkingjet e spitalit në mungesë të hapësirave, ndërsa të sëmurët presin gati gjithë ditën të trajtohen.
“Njerëzit ulen ngjitur me njëri-tjetrin. Mund të gjendesh afër dikujt që është infektuar me COVID, kur ti vetë nuk je i infektuar . Mund të duhen deri në 16 orë për të marrë kujdesin e nevojshëm ”, thotë infermierja Clara.
E dëgjuat drejt. Ajo tha se mund të duhen deri 16 orë për t’u trajtuar.
Jemi në krizë thotë Abigail Donley, e cila vitin që shkoi u largua nga Qendra e Kujdesit Intensiv, për të krijuar një organizatë që lufton për ndryshimin e politikave të kujdesit shëndetësor.
“Raportet e infermierisë janë të tmerrshme, ngarkesa është e padurueshme, infermierët goditen dhe abuzohen me fjalë”, thotë zonja Donley.
Fondacioni i Infermierëve Amerikanë thotë se pandemia po shkakton largimin e 9 nga 10 infermierë nga vendet e tyre të punës në spital.
Gjysma thonë se mungesa e personelit është arsyeja kryesore e largimit të tyre. Shumica e këtyre infermierëve angazhohen nga agjenci të pavarura për punë specifike dhe me kontratë të përkohshme.
“Michelle” nuk do që ta prezantojmë me emrin e saj të vërtetë, sepse është në mesin e pak infermierëve të pavaksinuar. Ajo la spitalin kur vaksinimi kundër COVID u bë i detyrueshëm. Një agjenci e punësoi atë me një kontratë 13 javore si infermiere në terren dhe për punë specifike.
“Për një javë fitoj aq sa zakonisht fitoja për një muaj”, thotë ajo.
Infermieri Jonny Sorber e do vendin e tij të punës dhe kolegët e tij në Nju Xhersi. Një nga ta e la punën dhe u angazhua si infermier në Alaskë, ku fiton 10 mijë dollarë në javë.
Ofertë tunduese për infermierin Sorber dhe familjen e tij. Ai thotë se spitalet duhet të gjejnë një mënyrë për të mbajtur dhe lehtësuar punën e infermierëve me përvojë.
“Mendoj se duhet rritje e pagave dhe punësimi i numrit të duhur të infermierëve që të mos ketë mbingarkesë në punë”, thotë zoti Sorber.
Në pyetjen e Zërit të Amerikës për idenë e pagave më të larta dhe më shumë infermierë, Shoqata Amerikane e Spitaleve nuk dha një koment zyrtar, por na dërguan një dokument ku kërkohet ndërhyrja e Kongresit dhe administratës Biden, duke përdorur autoritetin për të hetuar çmimet konkurruese të agjencive që punësojnë infermierë të kontraktuar për punë specifike sipas nevojave.
Infermierët u hodhën në betejë me pandeminë, një luftë që është jashtë kontrollit të tyre me të cilën vazhdojnë të përballen… me staf të reduktuar.
“Përpiquni të jeni të sjellshëm. Ne duam të bëjmë më të mirën për ju. Gjendja në kujdesin shëndetësor për momentin është e frikshme, si për infermierët edhe për pacientët”, thotë Michelle./VOA