MENU
klinika

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate

“Shqipëria e organizuar, Reja ka bërë punë të shkëlqyer”

11.11.2021 - 22:24

Nuk mund të mungonte edhe fjala e trajnerit të Anglisë, Gareth Southgate, për ndeshjen e nesërme, i cili ka analizuar në konferencë për shtyp Shqipërinë para përballjes mes dy skuadrave dhe sipas tij, Edi Reja ka bërë një punë të shkëlqyer me kuqezinjtë.

Ai hodhi poshtë çdo aludim për nënvlerësim të Shqipërisë nga ana e ekipit të tij, ndërsa tregoi se respektohej maksimalisht si çdo kundërshtar tjetër.

“Stërvitja ishte e mirë, kishim disa lojtarë që u tërhoqën, por jemi mësuar me këtë situatë. Nuk mendoj se ndokush këtu e ka parë si të pazakontë përgatitjen. Jemi të lumtur me sjelljen e lojtarëve.

Nuk më kujtohet që kam thënë që nënvlerësuam Hungarinë, ata mbrojtën mirë, dhe ndaj tyre nuk luajtëm në nivelin e këtij viti. Jemi fokusuar në këtë ndeshje që presingu të jetë më mirë se atë natë dhe që të jemi më të vëmendshëm për lojën dhe të luajmë topin më shpejt.

Sepse ky ekip (Shqipëria) është i organizuar mirë, kanë mbrojtje të ngjeshur, kanë cilësi për të dalë para. Por nëse fiton topin lart, ndoshta mund t’i kapësh kur mund të jenë pak të paorganizuar. Ndaj ka pasur shumë gjëra për të cilat jemi fokusuar në stërvitje këtë javë.

Jemi të ndërgjegjshëm për aftësitë e skuadrës shqiptare, qartësisht jo vetëm nga ndeshja jonë atje, por gjithashtu edhe të gjithë ndeshjet në grup që i kemi parë me vëmendje. Ajo është një skuadër shumë e organizuar, trajneri ka bërë një punë të shkëlqyer.

Kanë familjarizim në mënyrën e lojës. Ka pasur disa ndryshime në ekip, por ne nuk ndalemi kurrë në lojtarë individuale, por mbi mënyrën kolektive, kështu jemi përgatitur ndaj kujtdo.

Ndoshta ka një lojtar që ka një këmbë të preferuar, apo një veçori tjetër e një lojtari që kërkon një aspekt mbrojtës më të veçantë, apo diçka nga e cila mund të përfitojmë në aspektin ofensiv. Por përgatitemi njëlloj kur luajmë dhe kemi gjithmonë respekt për çdo kundërshtar”, tha Southgate.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN