Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord që të pezullojnë përkohësisht udhëtimet për në Afrikën e Jugut pas zbulimit të variantit të ri të koronavirusit në kontinentin e vjetër. Lajmin e bëri të ditur presidenca e Bashkimit Evropian të premten pasdite.
Një komitet i ekspertëve të shëndetit me anëtarë nga 27 shtetet anëtare “ranë dakord për nevojën për të aktivizuar pezullimin emergjent dhe për të vendosur kufizime të përkohshme ndaj udhëtimeve nga Afrika jugore”, u shpreh presidenca sllovene në një postim në Twitter.
Kufizimet do të aplikohen për udhëtimet që vijnë nga Afrika e Jugut, Botswana, Eswatini, Lesotho, Mozambiku, Namibia dhe Zimbabve, sipas Reuters.
Më herët gjatë ditës, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u shpreh se është e rëndësishme që Evropa të veprojë “shpejt dhe me vendosmëri”, ndërsa përballet me mutacionin B.1.1.529 të koronavirusit.
Kufizime ndaj udhëtimeve që vijnë nga pjesa jugore e Afrikës janë vendosur tashmë nga Britania e Madhe, Japonia, Gjermania dhe Spanja