MENU
klinika

Pse i quajmë ''skllave''?

Të shkruash për zanatin më të vjetër…

03.11.2021 - 17:45

        ”Nuk është as kapriçio, as fantazi. Të shkruash për kurtizanet, është domosdoshmëri. Këtu nis gjithçka. Do të duhej të shkruanim për to, para sesa për femrat, a për dashurinë, të jetuarit, apo të mbijetuarit” 

 

       Një shkrimtare e re pariziane, ikën në Berlin. Aty, për dy vjet bëhet punëtore seksi. Shkruan një libër që vlerësohet, madje ngjitet në klasifikime, ekzalton botën mashkullore, por indinjon feministet: “E kanë të vështirë ta kuptojnë. Mundet të jetë zgjidhje lirie; 55 për qind e parave, ishin të miat”./Konica.al

Emma Becker është një shkrimtare franceze, jeton me partnerin dhe fëmijët në Berlin, ku për dy vjet punoi në bordello. Prej këtu, do të vinte një libër që është ngjitur në toplistat franceze, duke ndezur fantazinë e lexuesve, përfshirë kritikët entuziastë (burra) dhe feministet e indinjuara.

Jo të gjithë janë të gatshëm të kuptojnë nuancat, edhe ato gjuhësore, për termat që përdor autorja në roman dhe në këtë bisedë, nga “kurva” përçmuese te “punonjësja e seksit” asnjanëse, duke kaluar përmes etimologjisë “prostitutë”, që si dëshmi e lashtësisë së këtij profesioni, rrjedh nga latinishtja: “prostare” (prej nga “bordello”), domethënë të qëndrosh përballë, të tregohesh. “La maison”, botuar në Itali nga “Longanesi”, nuk është një falje për prostitucionin, por për bordellon ku autorja punonte e lumtur; nuk është as një denoncim i prostitucionit, por vetëm i asaj që ka parë të ushtrohet në rrugë dhe në një bordello në kufi.

Libri përzien kronikën, me faktet dhe përshkrimet e letërsinë, me introspeksionin dhe fantazitë. Dy vështrime që përkojnë pjesërisht, me shtëpitë publike të përshkruara: i pari, skëterrë; i dyti, më njerëzor, i lumtur.

“Kam punuar në dy shtëpi shumë të ndryshme. E para që e quajta ‘La Giostra’ ishte e trishtuar, vajzat vinin nga Lindja, shpesh dyshoja se donin ta bënin atë punë, ndoshta u kishin dhënë premtime të rreme. Aty u ndjeva si gazetare, nuk identifikohesha dot me to, thjesht përshkrova. Në të dytën, ”La Casa”, gjithçka ishte ndryshe, ndoshta se nuk komandonin burrat, por një grua, një ish-prostitutë”.

Pse u transferuat nga Parisi, në Berlin?

Prindërit po divorcoheshin. Unë me motrën u transferuam në Berlin. Ishte surprizë,.. për stilin e jetesës, festat, lirinë seksuale. U ndjeva si të kisha zbritur në Romën e lashtë!.. Kishte të shëndoshë, të moshuar, të shëmtuar, të rinj, të bukur, njerëz me karrige me rrota… Një dekadencë fantastike. Jetesa në Berlin, të jep mundësinë të kuptosh se atje ka kuptim prostitucioni legal.

Më pas, zgjidhni të punoni në një bordello…

Pas disa muajsh, më duhej të gjeja punë: ende kameriere? Shitëse lulesh? Prindrit nuk ishin me mua, ndaj nuk kisha pse justifikohesha se si i fitoja paratë. Kështu, e provova.

***

Rrëfimi këmbëngul në ndryshimin midis “të jesh prostitutë” dhe “të ndihesh si prostitutë”. Nuk varet nga vendi, por nga ajo që ndiejnë gratë dhe si sillen burrat.

Çfarë do të thotë, të ndihesh si prostitutë?

Në Francë, kemi libra dhe piktura që përshkruajnë prostitutat në një mënyrë romantike dhe të idealizuar. Jo viktima, por gra që kishin pushtet mbi burrat e pasur dhe të fuqishëm, sepse ishin dinake, ishin gra! Por atëherë gjykimi moral mbi industrinë e seksit është një dënim judeo-kristian. Për përvojën time, unë, siç mendojnë gratë e tjera, nuk dua të ndihem si prostitutë, pra një shami që burrat e përdorin dhe e hedhin. Ka një paradoks: një grua shahet si “kurvë” jo sepse kërkon para, por për të thënë se është një grua e humbur, që nuk meriton vlerësim. Kur hyra në këtë realitet, isha krenare për këtë, sepse ndjeja fuqinë që e kisha lexuar nëpër libra, ndjeva një lloj hakmarrjeje ndaj burrave që kanë tendencë t’i trajtojnë gratë si prostituta edhe nëse nuk i paguajnë. Këtu: pagesa për shërbimet falas burrave, që, as nuk e dinin se çfarë kërkonin, është një përvojë fuqizimi imja. Të ndihesha si prostitutë, në atë kohë nuk ishte poshtëruese, nuk më bënte të ndihesha më pak femër. Më bëri të ndihesha më shumë si grua, si simbol, për një pjesë të grave.

Ju shkruani: “Do të vijë dita, kur do të na mbarojnë argumentet kundër konceptit të një ”kurve të lumtur”. Tashmë ka ardhur dhe përtej argumenteve të vjetruara, ka vetëm një zili paradoksale të maskuar”.

Kam paguar lirinë për të bërë atë që më pëlqente, pra për të shkruar libra: isha 25 vjeçe, e lirë, nuk kisha fëmijë, kishte ditë që mendoja se askush tjetër nuk do të ma jepte një mundësi më të mirë. Kam qenë kamariere, shisja lule… kjo lloj pune ishte shumë më intriguese: asnjë ditë, nuk ishte e njëjtë me tjetrën, nuk keni kurrë të njëjtin klient, nuk e keni idenë sesi do ta keni ditën; për mua, ky ishte një moment shumë interesant në jetën. Kjo është arsyeja pse pata, mund të them, guximin të them se çfarë është një ”prostitutë e lumtur”. Sigurisht, nuk mendoj se vajzat që e bëjnë këtë për 10 apo 20 vjet, kanë të njëjtin mendim.

Ju flisni edhe për takime të pakëndshme me klientë të dhunshëm; dhe argëtime të tjera, hakmarrje të vogla, etj.

Kisha lexuar librat e Markezit de Sade. Mendova se po takohesha me djem me kërkesa absurde… dhe në vend të kësaj, burrat duan marrëdhënie me një grua që nuk është e tyre.

Një lojë. Ajo që lodhet…

Pasi e bëj këtë punë për një kohë, flas për veten, fillon të duash diçka që është autentike, diçka për të cilën nuk paguhesh. Diçka që ka kuptim. Ti vepron ditë pas dite, puna jote është të shtiresh si e dashur, e lumtur kur vijnë të të shohin, kur vërtet nuk të intereson, kujdesesh për paratë që do të marrësh, si çdo njeri që punon. Në fund, shfaqja bëhet realitet. Nuk e di, një pjesë e imja po shuhej, kisha nevojë për një marrëdhënie të vërtetë.

Kur u takuat me partnerin, punonit ende në bordello?

Po. Ai ishte shok i të dashurit të motrës sime. I thashë se nuk do ta lija punën vetëm sepse ishim bashkë dhe ai e kuptoi; më ka mbështetur gjithmonë dhe ishte shumë krenar për botimin e librit. Këta burra të rrallë, siç themi ne në frëngjisht, nuk gjenden kollaj…

Në Francë, feminsitet e kanë sulmuar ashpër librin…

Sepse, aty, prostitucioni nuk përshkruhet si skllavëri, por si zgjedhje të lirë. Disa feministe nuk e pranojnë këtë, i konsiderojnë prostitutat viktima të një shpëlarje truri nga burrat dhe patriarkalizmi dhe që, si viktima, nuk mund të vendosin për situatën e tyre. Disa feministe, shkruan se isha abuzuar si fëmijë dhe kjo ishte arsyeja pse mendova se ishte një mënyrë për vetë-fuqizim. U përpoqa të krahasoja pikëpamjet, por nuk ka sesi. Ato kanë gjithmonë të drejtë dhe ju keni gjithmonë gabim: një punonjëse seksi, për ato feministe është si një fëmijë i përjetshëm që nuk ka fuqi të vendosë për asgjë. Unë jam një feministe ndërsektoriale: nëse gratë duan të bëjnë diçka, ato duhet të jenë në gjendje ta bëjnë, të jenë punonjëse seksi ose të mbulohen.

Keni pasur edhe ju komente, nga kush e ushtron këtë profesion?

Po dhe duhet të them që edhe nëse nuk është e paligjshme, në Gjermani ka prej tyre që kërkojnë më shumë të drejta dhe mbrojtje. Kam marrë disa komente interesante. Më thanë: po me çfarë cilësie shkruan? Si punëtore seksi, apo si shkrimtare me një përvojë të tillë, që në njëfarë kuptimi, po përpiqeni të flisni me zërin tonë? Për mua, ishte e njëjta gjë: isha punëtore seksi, por të shkruarit është puna ime”.

Libri u prit shumë mirë edhe nga kritika, gjithashtu…

Për shumë shkrimtarë të famshëm, burra këta, ishte intriguese të shihje një grua të re, që vendosi të bëhej punëtore seksi dhe të shkruante për këtë, si një lloj vetëkonfirmimi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Histori për mjekësinë

“Po nuk u bëre mbret, bëhu mjek!”

Çfarë është arti?

”A ka gjini Arti?”