Në pamundësi për t’i mbyllur klasat e bashkuara, apo ato që u cilësuan si “kampe përqendrimi”, qeveria po përpiqet të sigurohet se nga ato banka nuk dalin analfabetë funksionalë.
Për këtë, Ministria e Arsimit ka menduar t’i fusë në provim në datën 6 dhjetor, për të parë nëse ata dinë shkrim e këndim. Që pas 2018- ës, kur qeveria u zotua t’i mbyllë klasat e bashkuara, ku në të njëjtin ambient mësojnë fëmijë të moshave të ndryshme, numri i tyre veçse është rrudhur. Shkolla të tëra mbahen hapur me “lutjet” e prindërve që nuk kanë mundësi për të ndjekur fëmijët në shkollën e fshatit ngjitur, ndërsa shkolla të tjera janë mbyllur detyrimisht pasi prindërit emigrojnë duke mos parë asnjë të ardhme për fëmijët në fshatin ku banonin. Në këto kushte, e vetmja gjë që mundet e ka zgjedhur të bëjë Ministria është t’i mbajë nën kontroll duke siguruar maksimizimin e dijeve që mund të marrin fëmijë të moshave të ndryshme brenda së njëjtës klasë. Problematika më e madhe që hasin mësuesit e këtyre shkollave të bashkuara është kontrolli i dijeve. Shpeshherë kur pyetet një nxënës i klasës së dytë, ai që jep përgjigjen është një tjetër nxënës më i madh.
PROVIMI
Të hënën e parë të muajit dhjetor, në datën 6, gati 21 mijë e 500 nxënës do t’i nënshtrohet testimit kombëtar që mat nivelin e dijeve të arritura në tri lëndët bazë: gjuhë shqipe, lexim dhe matematikë. Në një orë testim, që nis në orën 10:00, ata do t’u përgjigjen disa pyetjeve në provim, modeli i të cilit nuk specifikohet në udhëzimin e firmosur së fundmi nga Ministrja e Arsimit. Përpos datës, udhëzimi ngarkon drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar të caktojnë një numër administratorësh provimi, njëjtë si për testimet e maturës, për të shmangur kopjimet apo keqadministrimin e tezës. Janë ekspertët e Qendrës së Shërbimeve Arsimore ata që do të merren me hartimin e tezës dhe shumëfishimin e saj, proces që do të kryhet sipas një udhëzimi të firmosur në vitin 2019, kur u zhvillua testi i parë.
SITUATA
Klasat kolektive kanë pasur një veçori përgjatë kësaj kohe. Ndryshe nga shkollat e tjera që u përballën me shumë vështirësi vitet e fundit, fillimisht për shkak të tërmetit e më pas situata pandemike, klasat kolektive vuajtën problematikat e tyre, por ishin të veçuara nga këto fenomene. Duke qenë larg zonave të prekura nga tërmeti, si dhe për shkak të numrit të vogël të nxënësve, në pjesën më të madhe të këtyre shkollave mësimi është zhvilluar me orë normale 45 minuta dhe pa turne, pasi kanë pasur hapësira të mjaftueshme. Sidoqoftë, në disa prej tyre, Ministria e Arsimit ka shpërndarë pajisje dixhitale për të mundësuar aksesimin në mësimin online në periudha të vështira. Përpos kësaj, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar ka realizuar analiza dhe vlerësime për nivelin e arritjeve të nxënësve si në klasat e drejtpërdrejta, edhe në klasat kolektive dhe aktualisht është hartuar një program për mësimin plotësues për të mundësuar eliminimin e boshllëqeve.