Prej vitit 2011, për Korenë e Veriut, data 17 dhjetor është ditë zie. Përkujtohet ndarja nga jeta e ish-liderit, Kim Jong Il.
Mediet e huaja, raportojnë se qytetarët e kanë të ndaluar që të shprehin gëzim dhe lumturi gjatë kësaj periudhe, që shënohet në përkujtim të ish-udhëheqësit.
Autoritetet shtetërore kanë vendosur që për një periudhë 11-ditore koreano-veriorëve u ndalohet që të qeshin dhe të konsumojnë alkool, pasi përkujtohet 10-vjetori i vdekjes së ish-udhëheqësit.
Autoritetet kanë porositur publikun të mos shfaqë asnjë shenjë gëzimi, apo lumturie për sa kohë që vendi nderon kujtimin e tij.
Kim Jong Il sundoi Korenë e Veriut. nga viti 1994 deri kur u nda nga jeta më 2011, duke u pasuar nga djali i tretë dhe më i vogli, udhëheqësi aktual, Kim Jong Un.
Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, koreano-veriorët janë të detyruar të mbajnë një periudhë zie.
“Gjatë kësaj periudhe, nuk duhet konsumuar alkool, nuk duhet të qeshësh, apo të marrësh pjesë në aktivitete me natyrë argëtuese,” – shpjegoi një banor i qytetit kufitar verilindor Sinuiji, për mediet.
Ai ,madje, shtoi se, qytetarëve nuk u lejohet të bëjnë pazar, qoftë edhe në dyqanin ushqimor, më 17 dhjetor, përvjetorin e vdekjes së Kim Jong Il.
Kim Jong-il pësoi atak kardiak, më 17 dhjetor 2011, në moshën 69-vjeçare, pas një periudhe 17-vjeçare në krye të vendit.