MENU
klinika

Shefja e ISHP-së: Kemi të dhëna që…

A po qarkullon ‘Omicron’ edhe në Shqipëri?

01.12.2021 - 16:11

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron në disa vende, teksa bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19.

Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.

“Instituti i Shëndetit Publik është duke punuar për të përgatitur mostrat sipas protokolleve të ECDC, për t’i çuar për t’i analizuar dhe për të vijuar më tej sekuencimin e këtyre mostrave. Për të bërë dhe ne të gjithë atë hartëzimin e nevojshëm për të vlerësuar nëse varianti Omicron qarkullon në vendin tonë dhe sigurisht ajo çfarë është më e rëndësishme është që të rrisim vigjilencën”, tha Manastirliu.

Lidhu me masat anticovid, Manastirliu tha:

“Ne jemi duke bërë një vlerësim të imtësishëm të gjitha masave aktuale që ne kemi në luftën kundër Covid19 duke filluar nga masat ekzistuese të qarkullimit, patjetër të distancimit, të vendosjes së maskave në ambientet e brendshme. Janë elemente shumë të rëndësishëm të cilët duhet të vazhdojnë që të zbatohen nga të gjithë qytetarët, pasi kjo është një betejë e cila fitohet vetëm nëse qytetarët dhe autoritetet janë së bashku në zbatimin e këtyre masave të thjeshta. Sigurisht duke vijuar me rritjen e mbulesës vaksinale dhe me vaksinimin qoftë me dozat e para, qoftë me duke u vaksinuar plotësisht për të mos vonuar vaksinën apo dozën e dytë dhe qoftë për të bërë vaksinën përforcuese apo dozën e tretë, tha Manastirliu.

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha: “Omicron nga pikëpamja e transmetueshmërisë mendohet që ka një transmetueshmëri të lartë.

Mendohet që mund të jetë më i lartë se transmetueshmëria e Deltës, megjithatë edhe kjo mbetet për t’u parë sepse ka nevojë që të vlerësohet se si është transmetueshmëria brenda familjes apo jashtë saj.

Për sa i përket formave të rënda, natyrisht shtimi i rasteve mund të pasohet edhe me format e rënda. Ajo çka ka rëndësi është që të vlerësohet ai evitimi i imunitetit qoftë natyror qoftë edhe nga vaksina. Megjithatë kemi të dhëna, jo të gjitha të dhënat e mundshme, por që vaksina ka një efektivitet prandaj është shumë e rëndësishme të vaksinohemi”, tha Bino.