Një kryekomisar, me detyrë Lektor në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë si dhe një inspektor në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor të Policisë së Shtetit janë arrestuar sot me vendim të GJKKO, pas hetimeve të SPAK për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimit të dokumentave”.
Mësohet se ata janë hetuar prej muajsh nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme.
Gjatë hetimeve ka rezultuar se “Inspektori D. L. ka ofruar/premtuar një vlerë monetare në shumën 4.000 euro në kuadër të proçedurës së provimit në Akademinë e Sigurisë Tiranë, si dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara në procesin e provimit”.
Ndërsa Kryekomisari me detyrë Lektor në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë, shtetasi Q. G. “dyshohet se ka kërkuar/pranuar përfitim të parregullt për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjës shtetërorë për të favorizuar shtetasin D. L. në lidhje me provimin, për fitimin e gradës “Nënkomisar”, të zhvilluar në datën 27.10.2021 në ambjentet e Akademisë së Sigurisë”.
NJOFTIMI NGA SHÇBA
Sot, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ekzekutoi vendimin penal të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilin është vendosur masa e sigurimit personal “Arrest me burg” për punonjësit e policisë:
– Kryekomisar Q.G., me detyrë Lektor në Fakultetin e Hetimit pranë Akademisë së Sigurisë;
– Inspektor D.L., me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Autostradave në Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor, kandidat në procesin e konkurimit për gradën “Nënkomisar”.
Vendimi i GJPKKO për masën e sigurimit ndaj këtyre punonjësve të policisë u mor pas hetimeve disa mujore të kryera nga Drejtoria e Hetimit të SHÇBA nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, në funksion të procedimit penal Nr. 382/2021 për veprat penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimit të dokumentave”, parashikuar përkatësisht nga nenet 245/1 dhe 186/1 i Kodit Penal.
Gjatë hetimeve të kryera në përdorim të metodave speciale, u bë e mundur të dokumentohej me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve të policisë, e cila konsistonte në dhënien e premtimeve dhe kryerjen e veprimeve konkrete për të favorizuar në mënyrë të padrejtë kandidatët që konkuronin në testimin për gradën “Nënkomisar” në Akademinë e Sigurisë për vitin 2021.
Subjektet e këtij procedimi penal, në procesin e konkurimit kanë depozituar dhe përdorur dokumente të fallsifikuara me qëllim përfitimin e padrejtë të pikëve në kualifikimin përfundimtar të konkurentëve.
Në funksion të hetimeve të kryera dhe të ekzekutimit të vendimeve penale të GJPKKO, u kryen kontrolle banesash, zyrash nga të cilat u sekuestruan prova materiale që dokumentojnë veprimtarinë e kundraligjshme te subjekteve.
Veprimet dhe aktet proceduriale u referuan në SPAK. Hetimet vazhdojnë.
SHÇBA fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.
HETIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Tiranë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 277 datë 22.10.2021 për veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, parashikuar nga neni 245/1/2 dhe neni 186/1 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit D. L., si dhe “Ushtrimi i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Q. G.
Pasi janë kryer hetime në kuadër të procedimit penal Nr. 277/2021, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave Tiranë, është arritur të sigurohen prova të mjaftueshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm, se:
Shtetasi D. L. ka ofruar/premtuar një vlerë monetare në shumën 4.000 euro që përbëjnë përfitim të parregullt, në kuadër të proçedurës së provimit në Akademinë e Sigurisë Tiranë, si dhe ka përdorur dokumente të falsifikuara në procesin e provimit, ndërsa shtetasi Q. G. dyshohet se ka kërkuar/pranuar përfitim të parregullt për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjës shtetërorë për të favorizuar shtetasin D. L. në lidhje me provimin, për fitimin e gradës “Nënkomisar”, të zhvilluar në datën 27.10.2021 në ambjentet e Akademisë së Sigurisë.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin Nr. 1159, akti datë 29.11.2021, ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për shtetasit: D. L. dhe Q. G.
Ekzekutimi i masave të sigurimit nga policia gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave Tiranë, u bë i mundur sot më datë 02.12.2021.