MENU
klinika

ISHP: Rriten rastet e infektimeve në moshat pediatrike

Bilanci për nëntorin/ 60% më pak jetë të humbura se vitin e kaluar!

01.12.2021 - 10:07

Pavarësisht valëve të reja, motit të acartë që favorizon qëndrimin në ambiente të mbyllura e rrjedhimisht infektimin, të gjithë treguesit e pandemisë janë në ulje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Nëse kthejmë sytë në nëntorin e 2020-ës, 27 për qind e tamponëve të kryer rezultuan pozitivë, ndërsa këtë vit afro 15 mijë persona u konfirmuan me Covid-19 nga 87 mijë teste, që përkthehet në 17%.

I njëjti trend zbritës është regjistruar edhe për fatalitetet, numri i të cilave është 60 për qind më pak se vjet. Përgjatë nëntorit u shënuan 128 humbje jete, nga 301 një vit më parë. Kjo vetëm në kuadrin e statistikave të lexueshme, pasi pasojat afatgjata të Covid-19 ka ende persona që po i vuajnë, pas komplikacioneve të rënda post-spitalore.

Mjekët thonë se i vetmi mjet mbrojtës ndaj virusit është vaksina. Ndaj edhe insistojnë të rrisin mbulesën vaksinale. Shumica e personave që nuk ia dalin përballë Covid-19, sipas bluzave të bardha, vuajnë nga sëmundje bashkëshoqëruese dhe nuk kanë injektuar asnjë dozë vaksine.

Muaji u mbyll me një numër minimal rastesh të infektuara, për shkak të numrit të ulët të testeve të kryera. Nga 1400 testime u konfirmuan 192 raste, duke e lënë incidencën e rasteve të ngjashme me ato të gjithë muajit ku janë identifikuar mesatarisht mbi 500 raste, por me 4-fish më tepër tamponë të kryer. Shtrimet spitalore mbeten në nivele të qëndrueshme. Bëhet fjalë për 169 hospitalizime, 15 prej të cilave në gjendje të rënduar. Numri i jetëve të humbura ditën e djeshme është katër, duke i çuar në 3096 fatalitetet në harkun kohor 2-vjeçar të pandemisë.

ISHP: Rriten rastet e infektimeve në moshat pediatrike, e kalojnë lehtë

Qëndrimi në ambiente të mbyllura, si çerdhe e kopshte dhe temperaturat në ulje javët e fundit kanë bërë që fëmijët të rrezikohen në masë nga infektimi me Covid-19. Përpos të moshuarve që vijojnë të mbeten grup risku, përgjatë dy javëve të fundit është vënë re një trend rritës në moshat e vogla.

“Grupmosha më e prekur vazhdon të mbetet mosha mbi 55 vjeç, 55-64 dhe 65-74 vjeç, por ka raste të dukshme edhe te moshat e reja dhe këto dy javë vihet re edhe në moshat pediatrike”, thotë mjekja në Institutin e Shëndetit Publik, Genta Qirjako.

Për fat të mirë mjekët shtojnë se më të vegjlit i suportojnë më lehtë simptomat e Covid-19 “Te moshat pediatrike dhe ato shkollore kemi edhe një shtim të rasteve me Covid. Nuk kemi pasur gjendje të rëndë si te të rriturit.

Temperaturë që shkon 37.5 deri në 38, që zgjat për 3-4 ditë ose një javë dhe më pas nis rehabilitimi i gjendjes së përgjithshme dhe brenda dy javësh kemi rikuperim të plotë të fëmijës”, thotë Bektash Madri, mjek familjeje në një qendër shëndetësore, teksa shton se në raste të tilla rekomandon izolimin e të gjithë familjes së fëmijës me qëllim që të ndërpritet zinxhiri i infektimeve. Dy muaj pas autorizimit të vaksinës “Pfizer” për fëmijët edhe në Shqipëri duhet theksuar se interesi për dozën anti-Covid te moshat e reja mbetet i ulët. Prej kohësh vaksina anti-Covid ofrohet masivisht, duke përfshirë të rriturit dhe fëmijët, ndërkohë që prioritet u është dhënë atyre me sëmundje kronike.