Nipi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, Ramazan Rraja bashkë me dy bashkëpunëtorët e tij Roan Brahimi dhe Alesio Dobrozi të shpallur në kërkim për kontrollin me armë që ushtruan në një lokal në Lezhë, dyshohet se janë arratisur jashtë vendit.
Nga sa mësohet ata kanë udhëtuar fillimisht drejt Italisë, nga ku dyshohet se janë larguar drejt Dubait, e konsideruar si parajsë për fshehjen e personave të shpallur në kërkim nga policia.
Në maj të këtij viti në Dubai u arrestua Florenc Çapja i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për porositjen e vrasjes së babë e bir Nezir dhe Gentjan Beqiri.
Ndërkohë në shtator të vitit të kaluar në Dubai u vu në pranga edhe Eldi Dizdari, pas një hetimi ndërkombëtar të nisur prej 2015-s për trafikun ndërkombëtar të drogës, si anëtar i “KOMPANIA BELLO” i finalizuar në 10 shtete të ndryshme.
Në 11 dhjetor u arrestua po në Dubai Plaurent Dervishaj, kunati i Lul Berishës. Ai u shpall në kërkim nga SPAK për vrasjet e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut në vitin 2005, por nuk u ekstradua në Shqipëri duke shpëtuar. Në 6 shkurt ai u lirua nga qelia në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gazetari i ABC Artan Hoxha ka folur në lidhje me këtë skemë të fshehjes së trafikantëve në Dubai duke theksuar se bosët e drogës në Shqipëri kanë ndërtuar një parajsë fiskale në Emiratet e Bashkuara duke ikur nga drejtësia por edhe rivalët e tyre që mund të tentojnë t’i ekzekutojnë.