…Prej këtyre ka dy lloje: nji palë janë me bisht dhe disa të tjerë me bisht kuajsh.
Njerëzit me bisht janë shumë të fortë, me krahanorë të gjanë dhe ecin shumë. Disa vjet përpara vdiq nji i tillë, i cili brenda nji dite bante nji rrugë shumë të gjatë. Kur do të kryente nevojën, e merrte bishtin në dorë që të mos ta ndragte. Besimi se ka njerëz me bisht asht përhapë në Shqipninë e Jugut (në Shqipninë e Veriut, nuk dinin gja mbi këto) në Greqi dhe në Anadoll. Thonë se kaçaku famëkeq Kutovunisi, që ishte nga Langkadia e Moresë, ka qenë me bisht.
Këtu, ndoshta, asht dicka ma tepër sesa nji besim popullor. Sulejmani nga Dragoti, nji nga kavazët e mi në Janinë, thoshte se në krahinën e tij kishte shumë njerëz me bisht, madje ai kishte vetë nji kushëri me bisht dhe kur ishin të vegjël e kishin kapë shumë herë për bishti, kur laheshin. Theodori, që asht ma i besueshëm, i cili kur qe i ri ka pasë qenë hajdut ndër malet e Pindit, më tregonte se në cetën e tij ka qenë shumë vjet nji burrë i shkurtën me leshra të verdha dhe shpatulla të gjana, që quhej Kapetan Janaqi. Për atë thoshin se ishte me bisht. Prandaj për me e vërtetue këtë, kur po flinte nji mbasdite, u hodhën 6 vetë sipër tij (sepse ai ishte shumë i fortë) dhe e kontrolluen. Në këtë kontrollim pat marrë pjesë edhe Theodori vetë. Ai mbante mend shumë mirë se kishte pa nji bisht dhie katër gisht të gjanë, i cili përbrenda ishte pa lesh, por në anën e sipërme kishte qime të kuqe, të cilat vazhdonin nga kurrizi edhe nji shuplakë.
Unë u përpoqa mjaft me pa nji njeri të tillë, por pa sukses dhe të gjithë mjekët e ushtrisë turke, të cilët i pyeta mbi këta çashtje, më thanë se kjo ishte nji përrallë, sepse ata nuk kishin pa kurrë ndonji njeri me bisht, ndonëse vit për vit kontrollonin me mijëra rekrutë të rinj nga të gjitha viset e perandorisë. Buffoni, në historinë e tij të natyrës, përmend legjendën se në Shqipni rrojnë njerëz me bisht. Por për ne mjafton fakti i pamohueshëm që në Shqipni të Jugut edhe sot populli beson që ka krijesa njerëzore, si ato që shpeshherë figurojnë ndër pikturat dhe skulpturat e grekëve të vjetër. Në Shqipni nuk mujta me marrë vesht se a ka njerëz me trup kali dhe kambë sqapi.
Thënie për shqiptarët
_______________
Titulli: Studime shqiptare (1854)
Autori: Dr. Jur. Johan Georg Von Hahn
Përkthyen nga gjermanishtja: Veniamin Dashi dhe Afrim Koci
Botues: IDK, Tiranë, 2008