MENU
klinika

Sfida “Omicron”

“Harta” e valës së re në Evropë, ku ndodhet Shqipëria?

01.12.2021 - 10:13

Nivelet e infeksioneve të Covid-19 në vendet evropiane tregohen në një grafik interaktiv të “New York Times”, me ngjyra më të lehta që tregojnë vendet me infeksione më të ulëta dhe ngjyra më të errëta më të larta. Në pjesën e hartës ku ndodhet Shqipëria, vendi ynë shfaqet me ngjyrën e hapur që do të thotë se niveli i infeksioneve të COVID nuk është i lartë.

Evropa është sërish në qendër të një vale të re të Covid-19, me gjithnjë e më shumë raste që raportohen çdo ditë. Normat e infektimit në Austri, Gjermani dhe Holandë janë tashmë dyfishi i atyre të regjistruara në kulmin e dimrit të kaluar.

Si përgjigje, qeveritë u detyruan të rivendosin kufizimet e rënda që shumica e evropianëve besonin se i kishin lënë pas. Bllokimet e reja kanë hyrë në fuqi në Austri dhe Sllovaki në një përpjekje për të vënë nën kontroll bumin e ri.

Sfida “Omicron”

Përveç kësaj, shfaqja e llojit të ri “Omicron”, i cili siç ka paralajmëruar OBSH ka të ngjarë të përbëjë një rrezik më të madh të ri infektimit ka alarmuar liderët evropianë. Rastet e këtij lloji deri më tani janë identifikuar në mesin e udhëtarëve në më shumë se dhjetë vende evropiane, duke përfshirë Danimarkën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë vizitës së saj në Letoni, Presidentja e Komisionit Ursula von der Layen tha se “do të duheshin dy deri në tre javë që shkencëtarët të kenë një pamje të plotë të “Omicron”. Ne shpresojmë për më të mirën, por përgatitemi për më të keqen”, shtoi von der Leyen.

Hendeku i vaksinës

Pavarësisht ekzistencës së vaksinave shumë efektive, zyrtarët shëndetësorë në Evropë janë ende duke luftuar për të përballuar variantin shumë ngjitës Delta, pasi, për shkak të temperaturave më të ulëta, po zhvillohen gjithnjë e më shumë tubime në ambiente të mbyllura.

Në të njëjtën kohë, shpërthimi dimëror i pandemisë ka vënë në pah edhe një herë hendekun e vaksinimit në kontinentin evropian. Megjithëse rastet janë rritur në të gjithë Evropën, vdekjet kanë arritur nivele të ngjashme me vitin e kaluar vetëm në vendet me shkallë të ulët vaksinimi