MENU
klinika

Artisti, mbeti pa shkollë

Këngët i mësonte përmendsh dhe i ”fuste në defter”!

24.12.2021 - 12:04

        “Kur më vinte “ashku”, krijoja vjershën strofa-strofa, e punoja me mend ditë e natë, derisa e mësoja përmendësh. Kur e shihja që kisha mbaruar punë thërrisja ndonjë njeri me kalem (që dinte të shkruante) dhe e “fusja në defter” (Isuf Myzyri)./Konica.al

Prof. Dr. Fatmir Terziu
Kush ia shkruante këngët Isuf Myzyrit? Është një pyetje që ka ardhur me kohë natyrshëm pasi ashtu sikurse ka shkruar “Artisti i Merituar” elbasanas, Mit’hat Stringa, “Isuf Myzyri mbeti analfabet dhe kjo i krijonte vështirësi në punët krijuese si muzikant e këngëtar”. Sipas Stringës, ai vuante e lodhej shumë, sepse mungesa e shkrimit dhe e këndimit, e njohjes së muzikës e pengonte. Ndërsa për meloditë, ai vepronte mjaft lehtë, pasi dihej se e ndihmonte violina, për tekstet e këngëve të tij vështirësia ishte e madhe, saqë thuhet nga më të moshuar dhe mjaft nga ata që janë gjendur afër tij, “se ai kështu humbiste mjaft vargje”, pasi ato nuk mbaheshin ndonjëherë mirë me mend.

Duke kërkuar për këtë qëllim së pari mësojmë se nga vetë goja e Myzyrit kanë dalë këto fjalë: “mundohem. … është një punë e gjatë. Më ka ndihmuar shumë kënga popullore. Kur më vinte “ashku”, krijoja vjershën strofa-strofa, e punoja me mend ditë e natë, derisa e mësoja përmendësh. Kur e shihja që kisha mbaruar punë, thërrisja ndonjë njeri me kalem (që dinte të shkruante) dhe e “fusja në tefter”.
Nga miqtë e tij me të cilët ai la pas bahçevaninë, berberanën dhe punimin e qelesheve, sikurse ishin Met Balashi, Thoma Prifti, apo Arif Topalli, mjaft biseda kanë treguar se ai e mbante gjithnjë “sekret” kalemxhiun e vjershave të tij. Kështu, nëpër dhëmbë gjithnjë është thënë se atë e ndihmonte një zonjë bukuroshe, e cila i merrte fshehurazi fjalët e tij në takimet e tyre dhe pastaj ajo ia shënonte sikurse ai i thoshte, duke i ripunuar e përshtatur disa, pos shijeve të të dy personave. Kjo “zonjë” enigmatike ndonëse nuk u zbulua asnjëherë, falë besës që i kishin dhënë njëri-tjetrit, po aq dhe nga tipi i tij, që fliste me pak vetë, në rëndësinë e pyetjes së lartë-cituar ka mbetur vetëm se ai kishte deklaruar se tekstet ia shkruanin pasi ai ua diktonte disa kalemxhinj që dinin shkrim e këndim.

Përreth tij, sikurse dihet që nga krijimi i orkestrinës popullore në vitin 1905, kishte vetëm njerëz që e lidhnin atë mes tyre vetëm me muzikën. Dihet se Simon Vela ishte në krahët e tij me çyr, Mahmut Ashiku me lautë, Arif Çerma-Topalli me dajre, Thoma Prifti me gërnetë, Mehmet Gurra me ud, Ibrahim Zaimi me çyrbish të gjatë dhe Myrteza Graceni e Riza Berati me violinë. Nga këta, ndoshta me një ndjenjë të hollë mendohet se kanë qenë të paktë ata që mund ta kryenin një punë të atillë të lodhshme, sikurse ishte në rastin e Myzyrit. Bëhej akoma më e lodhshme, pasi ai përditë e më shumë tregonte lodhje dhe thuajse ishte e vështirë të mbante mend ato që mësonte përmendësh. Sidoqoftë, ai ishte mjaft i zoti në këtë drejtim, jo vetëm si krijues, muzikant, por edhe si organizator i kësaj orkestrine që bëri mjaft emër.

Ai vetë, sikurse mësojmë nga Stringa, shprehej kështu: “Dëgjoj melodinë duke e kënduar në fillim me mend dhe pastaj, me zë, dhe më vonë me tekst”. Dihet pastaj se me të mbaruar këtë proces, ai thërriste në shtëpinë e vet grup shokësh, këngëtarë e dashamirës të krijimeve të tij, të cilëve u mësonte këngën e re, duke ia kënduar disa herë. Pas tij e këndonin edhe ata.

Për shembull, kënga “Në zabel të gjeta”, sipas një nxënësi të usta Myzyrit, që ishte një këpucar, Xhelal Braçja, ishte kënduar në një dasmë mes shokësh prej tij, ndërsa më vonë kur rastësia e kishte prurë vetë Myzyrin dhe e kishte dëgjuar që ai këndonte atë këngë në një version jo-përfundimtar ditës tjetër e kishte bërë për një lek.

Kjo tregon se Myzyri ishte vërtet një mjeshtër i lindur i tekstit, i muzikës, i gjithë asaj që lidhej nga lindja e mendimit deri tek magjia e interpretimit. Usta Isuf Myzyri kështu mrekullisht mbeti këngëtari dhe kompozitori më popullor dhe një nga më të njohurit e kësaj gjinie në Shqipëri. Ai ka lindur në Elbasan më 8 mars 1881. Isuf Myzyri ka qenë krijues, këngëtar dhe interpretues i shkëlqyer popullor i violinës. Ai ka qenë një artist i rëndësishëm në historinë e kulturës e të trashëgimisë muzikore tradicionale shqiptare, gjatë gjysmës së parë të shek. të 20-të. Usta Isuf Myzyri është nderuar me titullin e lartë “Artist i Popullit” (pas vdekjes), me motivacionin: “Si këngëtar popullor, ka dhënë një ndihmë të shquar në pasurimin dhe zhvillimin e këngëve folklorike…”

Iu përkushtua dashurisë, i këndoi asaj, e mjaltoi në folklor, por u martua në moshë të re, duke u divorcuar pas disa vitesh,dhe më tej, pa lënë trashëgimtarë. Mësohet se origjina e nënës së tij ishte nga Përmeti. Megjithëse veprimtarinë e tij si krijues usta Isufi e filloi në moshë të madhe (rreth viteve 1927-1928), me autorësinë e tij njihen rreth 30 këngë popullore elbasanase. Ndër këngët e kompozuara dhe përpunuara prej tij, më të përmendurat janë: “Në zabel të gjeta”, “Iku nata, agun malet”, “Dashunija si rrufe”, “Një lulishte me trandafila”, “Midis vetllash më ke nji pikë”, “Ma mirë në pyll se në qytet”, “Si bilbili në pranverë”, “Ç’u dëshirush për me të pa”, “S’paske pasë pike mëshire” etj.

Usta Isufit i njihet merita e ndërtimit të një repertori me këngë popullore elbasanase, ku spikatin bukuria e frazës muzikore, si dhe orientimi për nga vlerat e vërteta të kulturës muzikore të Elbasanit. Në vitin 1950 i jepet titulli “Dervish Nderi”, nga ana e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Këngët e tij kanë kaluar gojë më gojë dhe nga njëri këngëtar te tjetri, jo vetëm në Elbasan, por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë dhe te shqiptarët e Maqedonisë. Në vitin 1950, formacioni muzikor i usta Isufit, regjistroi në qytetin e Elbasanit disa disqe (pllaka gramafoni) me këngë popullore elbasanase. Këngët u regjistruan nga një shtëpi diskografike të ish-Bashkimit Sovjetik. Këngë të Myzyrit janë transmetuar dhe nga Radio “BBC” në Britani të Madhe në kuadrin e javës kulturore të folkut nëpër Botë. (Zani i Malsis’)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vallet e kënduara shkodrane

“Hajde lule moj shebojë”