Përballë kërcënimit që vjen nga varianti i ri i COVID-19 “Omicron”, shumë shtete po e shohin zgjidhjen te vaksinimi i detyrueshëm.
Autoritetet i tremben rritjes së rasteve të infeksionit, si edhe fataliteteve, ndaj kanë vendosur që bashkë me vaksinimin e detyrueshëm dhe aplikimin e penaliteteve për ata që do të refuzojnë, të rikthejnë masat kufizuese. Greqia lajmëroi një ditë më parë se vaksinimi për personat mbi 60 vjeç do të jetë i detyrueshëm dhe duhet që brenda dy javëve të para të janarit kjo grupmoshë të këtë marrë së paku një dozë vaksine. Ata të cilët do të refuzojnë do të përballen me gjobë në vlerën e 100 eurove. Vaksinimi i detyrueshëm do të jetë edhe në Austri, ndërkohë që drejt kësaj mase po shkon edhe Gjermania. Edhe pse nuk ka ende një vendim zyrtar, rritja e shkallës së infeksionit, por edhe rreziku nga variantet e reja, ka vënë në alert autoritetet. Në Britaninë e Madhe mbajtja e maskës në ambientet e jashtme do të jetë sërish e detyrueshme. Si masë për të parandaluar një valë të re infeksioni, shumë shtete të unionit kanë pezulluar fluturimet me Afrikën e Jugut. Rastet me variantin afrikan së fundmi janë raportuar edhe në Spanjë.
OBSH
Ndonëse ka pak të dhëna mbi variantin “Omicron”, Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se rreziku global është “shumë i lartë”, duke thënë se koronavirusi që ka pësuar mutacione mund të çojë në rritje të rasteve me “pasoja të rënda”. Sipas OBSH-së, varianti mund të ketë mutacione që mund ta ndihmojnë atë të shmangë një përgjigje të sistemit imunitar dhe të rrisë aftësinë e tij për t’u përhapur nga një person në tjetrin. “Në varësi të këtyre karakteristikave, mund të ketë rritje të infeksioneve me Covid-19, që mund të kenë pasoja të rënda, në varësi të një numri faktorësh, duke përfshirë vendin ku mund të ndodhë një rritje e infektimeve me Covid19”, thuhet në raportin e OBSH-së. Ndërsa shkencëtarët po kërkojnë prova për ta kuptuar më mirë këtë variant, OBSH apeloi vendet që të përshpejtojnë ritmet e vaksinimit.
NË SHQIPËRI
Regjistrimi i rasteve të para me variantin afrikan në Itali shton rrezikun për mbërritjen e tij edhe në Shqipëri. Ndonëse ekspertët kanë argumentuar se është ende herët për të reaguar me masa, pritet që këtë javë të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve për rishikimin e tyre.
Ministrja Manastirliu në fjalën e saj në Sesionin Special të Asamblesë së OBSH-së për pandeminë, e cila po zhvillon punimet në Gjenevë, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shteteve në këtë moment të pandemisë, kur rreziku nga varianti i ri “Omicron” përbën shqetësim për të gjitha vendet.
“Është mundësia jonë për të ndërtuar një arkitekturë të barabartë dhe koherente të shëndetit global, për të transformuar nga themelet sistemin ndërkombëtar të reagimit dhe gatishmërisë për pandeminë. Kjo Asamble Botërore e Shëndetit ka një mundësi historike për t’u shndërruar në vendin ku bota u bashkua në emër të mbrojtjes së brezave të ardhshëm dhe për t’u bërë ballë emergjencave të tjera madhore shëndetësore”, tha ministrja.
Lidhur me procesin e vaksinimit, interesi nga ana e qytetarëve vijon të jetë i ulët. Kështu, përgjatë muajit nëntor janë kryer më pak se 200 mijë doza vaksine, gati 1/3 e tyre janë doza të treta apo përforcuese. Përveç dozës së tretë apo të rikujtesës, prej 1 nëntorit është ulur edhe pragu i grupmoshës së vaksinimit në plus 16 vjeç, si dhe janë bërë pjesë e kalendarit të vaksinimit fëmijët mbi 12 vjeç të cilët vuajnë nga problematika të tjera shëndetësore që dobësojnë sistemin imunitar.